Lidhje

Operacion i EULEX-it në veriun e Kosovës


Operacioni është kryer në kërkim të një serbi të dyshuar për përfshirje në vrasjen e oficerit të policisë së Kosovës, Enver Zymberi në korrik të vitit 2011

Policia e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, ndërmori sot një operacion bastisjeje në fshatin Zupç të komunës së Zubin Potokut në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Bastisje për gjetjen e një të dyshuari
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:37 0:00


Në një njoftim të këtij misioni thuhet se operacioni është kryer në lidhje me një urdhër-arrest ndërkombëtar për një individ 32 vjeçar. Sipas këtij misioni, i dyshuari nuk është gjetur dhe operacioni është kryer si pjesë e një hetimi për vrasje, tentim të vrasjes së rëndë, armëmbajtje pa leje dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Akuzat kanë të bëjnë me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, më 26 korrik 2011 dhe sulmin ndaj autokolonës së policisë së Kosovës në të cilën ai ishte duke udhëtuar në kohën kur u vra”, thuhet në njoftimin e këtij misioni.

Përfaqësuesit e serbëve në zonë thanë se operacioni është kryer në shtëpinë e Radovan Radiçit, i cili ndodhet në listën e të kërkuarve të policisë ndërkombëtare dhe dyshohet në lidhje me vrasjen e oficerit të policisë së Kosovës, Enver Zymberi, vrasje kjo e kryer më 26 korrik 2011.

Enver Zymberi, pjesëtar i njësisë së posaçme të policisë së Kosovës u vra në një pritë në afërsi të Zubin Potokut, gjatë një operacioni për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri. Një ditë më vonë ai u shpall hero i Kosovës me dekret të posaçëm të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Hetimet e EULEX-it dhe policisë së Kosovës bënë që të shpallen në kërkim pesë pjesëtarë të komunitetit serb të dyshuar për vrasjen e policit.

Operacioni i së enjtes u kritikua ashpër nga ministri për Kosovën në qeverinë në largim të Serbisë, Aleksander Vulin, i cili i bëri thirrje EULEX-it që për çdo veprim të tij të bashkëpunojë me institucionet e zgjedhura në veri të Kosovës

EULEX-i duhet ta kuptojë se nuk mund të sillet si të ishte i vetëm në botë. Ata duhet që për çdo veprim të tyre të njoftojnë përfaqësuesit e komunave të zgjedhur në mënyrë legjitime në veriun e Kosovës, siç duhet që për çdo aksion në veriun e Kosovës të përfshijë dhe informojë pjesëtarët e policisë së Kosovës në veri”, tha ai duke nënvizuar se pa nja bashkëpunim të tillë nuk do të ketë sundim të rendit dhe ligjit.

Veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe vazhdon të mbetet skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës.

Përfshirja në zgjedhjet për pushtetin lokal në Kosovë të komunave veriore të saj të banuara me shumicë serbe u bë e mundur me marrëveshjen e arritur në prill të vitit të kaluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Bisedimet pritet të vazhdojnë për të përmbyllur çështjen e gjykatave në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
XS
SM
MD
LG