Lidhje

Dy të dënuar për përdhunim gjatë luftës në Kosovë


Kjo është hera e parë që dikush dënohet për veprën penale të përdhunimit si krim i luftës në Kosovë.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit bëri të ditur se dy persona janë dënuar me dhjetë, përkatësisht 12 vjet heqje lirie nën akuzat për përdhunim gjatë luftës.

Kjo shënon herën e parë në Kosovë që dikush dënohet për veprën e përdhunimit të trajtuar si formë të krimit të luftës.

Në një njoftim të EULEX-it nuk janë dhënë hollësi për identitetin e të dënuarve që sic thuhet “kryen një krim të rëndë lufte kundër një femre të cenueshme civile të moshës 16 vjeçare”.

EULEX-i citon prokurorinë të jetë shprehur e kënaqur me vendimin e gjykatës.

Të dy të pandehurit në këtë rast u dënuan për dhunim si krim lufte, duke e bërë këtë vendimin e parë të këtij lloji në Kosovë. Derisa u desh shumë kurajë për të gjithë dëshmitarët e prokurorisë që të japin dëshmi, për viktimën kjo ishte edhe më e vështirë. Gjatë gjithë procedurës identiteti i saj ishte i mbrojtur dhe ajo u lejua të japë dëshmi në gjykim të mbyllur. Prokurori shpreson që ky dënim do t’i inkurajojë femrat dhe meshkujt e tjerë të guximshëm të flasin për dhunën seksuale të cilën e kanë përjetuar gjatë luftës, pavarësisht kush ishin kryesit e këtyre akteve të dhunës”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

Ndonëse nuk ka të dhëna të sakta, besohet se rreth 20 mijë gra e vajza ishin viktima të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, e cila mori fund 15 vjet më parë, ndërsa deri tash nuk ka pasur raste të gjykimit të autorëve të këtij krimi.

XS
SM
MD
LG