Lidhje

EULEX-i heton zyrtarët e tij nën dyshimet për korrupsion


Misioni i BE-së për sundimin e ligjit thotë se që nga vitit 2013 po heton dyshimet për korrupsion në radhët e tij, që u bënë publike ditëve të fundit në Kosovë

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, pohon se është duke hetuar dyshimet se zyrtarë të tij mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të disa të akuzuarve për vepra penale, por nuk pranon të komentojë për hetimet e as dokumentet që kanë rrjedhur dhe janë botuar në një seri shkrimesh të së përditshmes Koha Ditore.

Zyrtarë të EULEX-it besojnë se dokumentet kanë rrjedhur nga prokurorja britanike e këtij misioni Maria Bamieh, e cila është pezulluar nga puna.

Shefi i këtij misioni, Gabriele Meucci, tha të enjten se dyshimet po hetohen për një kohe të gjatë, por nuk pranoi të jap më shumë hollësi rreth tyre.

Dyshimet e hedhura nga zonja Bamieh, janë shqyrtuar në tërësi që nga viti 2013. Ato përmbajnë disa emra” tha ai, duke mos dashur të komentojë se në çfarë fazë kanë arritur hetimet, që përfshijnë pohimet se gjykatësi i këtij misioni Francesco Florit, ka marrë 300 mijë euro për të hedhur poshtë akuzat për vrasje, si dhe kryeprokuroren e misionit, Jaroslava Novotna, që siç thuhet ka mbyllur hetimet për vepra penale në disa raste.

Zoti Meucci nuk deshi të komentojë shkrimet e publikuara në mediet vendase se edhe zonja Bamieh mund të jetë përfshirë në veprime korrupsioni.

Ai tha se dëshmi që çështja po trajtohet shumë seriozisht është fakti që Bashkimi Evropian i ka hequr pjesërisht imunitetin një personi për të mundësuar përparimin e hetimeve. Por, ai tha se ky vendim është marrë shumë kohë më parë sesa tw publikoheshin shkrimet.

Ai hodhi poshtë edhe shqetësimet e ngritura nga shoqata e gazetarëve për trysni ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi, autor i shkrimeve, i cili tha se është gjetur nën trysni për të mos botuar shkrimet.

Këshilltarja kryesore e shefit të EULEX-it më ka thënë që nëse unë shkruaj për këto çështje, që i quan nën hetim, atëherë mund të ndiqem penalisht për këtë”, tha zoti Kajtazi.

Absolutisht jo. Asnjë prokuror i EULEX-it nuk është duke ndjekur ndonjë rast ndaj gazetarit të fjalë, qoftë për frikësim dëshmitarësh apo çështje tjetër”, tha ndërkaq zoti Meucci.

Ai beson që zhvillimet e fundit nuk do të dëmtojnë imazhin e as besimin e misionit të tij.

Ndërkohë, lëvizja Vetëvendosje në një aksion simbolik shprehu pakënaqësinë me zhvillimet e fundit që sipas përfaqësuesit të kësaj lëvizjeje Dardan Molliqaj, dëshmojnë dështimin e EULEX-it.

Misioni i EULEX-it, u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndjeshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG