Lidhje

Kosovë, studim mbi faktorët e radikalizimit

  • Leonat Shehu

Në Kosovë, Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë, tha në një studim se ndikimet e jashtme të përçuara posaçërisht përmes organizatave të ndryshme humanitare, janë ndër nxitësit kryesor që kanë çuar në ekstremizëm të disa qytetarëve të Kosovës.

Këto pohime janë pjesë e një studimi mbi “Faktorët ndikues në radikalizim dhe Ekstremizëm të Dhunshëm: mësimet nga Peja, Mitrovica, Gjilani, Ferizaj dhe Kaçaniku”.

Profesori i studimeve islame, Xhabir Hamiti numëron disa nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në rritjen e ekstremizmit dhe radikalizmit.

“Është keqinformimi apo mos informimi i drejtë për të se çfarë po ndodh në Siri ose në Irak në kuadër të luftës që është zhvilluar në dhjetë vitet e fundit. Ndjenja e izolimit te të rinjtë një pjesë e të cilëve nuk kanë pasur dhe nuk kanë mundësi të shohin botën ndryshe, kapaciteti dhe integriteti i ultë i individëve, dëshira për status apo aventurë, tendenca individuale për ndryshim shoqëror apo moral, të qenit i ndikuar i kontrolluar nga grupet e ndryshme të njerëzve, pastaj ndikimi i individëve kryesisht të atyre që nuk kanë traditë fetare familjare dhe kanë ra nën ndikimin e interpretimit të cilën e quajmë rigjid jo alternativ”, tha ai.

Studimi vë në pah po ashtu se në aspektin socio-ekonomik ka ndikuar operimi i shoqatave dhe fondacioneve të huaja me motive ideologjike, financimet jo krejtësisht të kontrolluara, mbështetja materiale dhe logjistike për grupe dhe individë.

Po ashtu, studimi u bën thirrje institucioneve të Kosovës që programet e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit të jenë të bazuara mbi nevojat dhe veçantitë lokale.

Burim Ramadani nga Qendra kërkimore për politika të sigurisë thotë se shumica e qytetarëve nëpër komunat e Kosovës nuk kanë njohuri për masat e parandalimit të këtyre dukurive.

“Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm bëhet në komunitet dhe jo larg komunitetit sepse përgjithësisht veprimet e deritashme me disa përjashtime janë bërë vetëm larg komunitetit, vetëm në kryeqendër ndërsa qytetarët atje nuk dinë se çka po ndodh dhe çfarë veprimtari po bëhen për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm”, tha ai.

Një rol të rëndësishëm në parandalimin e këtyre dukurive mund të luaj Bashkësia Islame e Kosovës, thuhet në studim, ku i bëhet thirrje asaj “që të zhvillojë dhe filloj zbatimin e një programi gjithëpërfshirës për t’u përballur me propagandat që kanë qëllim përfshirjen e të rinjve në interpretime të vijës së ashpër të besimit fetar”.

Profesori Xhabir Hamiti thotë se në Kosovë duhet të ruhet mësimi fetar islam tradicional.

“E cila nuk ka qenë asnjëherë radikale dhe as ekstreme por ka qenë vijë e mesme ofruese me komunitetin mysliman dhe jo kërcënuese ndaj komuniteteve tjera. Prandaj në këtë drejtim duhet të punoj udhëheqësit e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të gjitha institucionet që kanë ndikim në shoqëri në mënyrë që të parandalojmë format të interpretimit jo alternativ të fesë të cilat nuk kanë të bëjnë me vet parimet e fesë por kanë të bëjnë me ideologji dhe doktrina të cilat janë ngjizur në botën tjetër e cila nuk përputhet me mentalitetin dhe nuk është e përshtatshme me rrethin që ne jetojmë”, tha zoti Hamiti.

Në studim thuhet se me gjithë rënien e numrit të personave që u bashkëngjitën luftërave në Siri e Irak, sfidë tashmë për Kosovën mbetet luftimi i ekstremizmit dhe deradikalizimi i shoqërisë për brenda.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Afro 60 veta kane humbur jetën, ndërsa rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.

Mbi 40 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG