Lidhje

Kosovë: Konfiskohen para të falsifikuara


Policia e Kosovës tha se ka arrestuar dy persona gjatë një operacioni ku u zbuluan dhe u konfiskuan kartëmonedha të falsifikuara me vlerë prej mbi 2 milionë eurosh.

Policia tha se paratë që besohet se janë të falsifikuara u gjetën në një vendkalim kufitar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në një makinë që drejtohej nga shtetas i Shqipërisë i lindur në vitin 1972 dhe me të cilën po udhëtonte edhe një shtetas i Kamerunit i lindur ne vitin 1980 dhe me leje qëndrimi në Francë.

Në një njoftim të policisë thuhet se gjatë kontrollit, në bagazhin e makinës në një çantë janë gjetur paketime të ndryshme kartëmonedhash të dyshuara si të falsifikuara me vlerën: 500, 200, 100 dhe 50 euro. Po ashtu, së bashku me to është gjetur edhe letër e paketuar dhe e prerë në dimensione që i përgjigjen masës së këtyre kartëmonedhave.

"Pas numërimit të kartëmonedhave të falsifikuara, rezulton të jenë: dy milion e njëqind e tridhjetë e një mijë euro, si dhe dy mijë e shtatëqind e tridhjetë e tre copë letër e bardhë që do të përdorej për përpunim e kartëmonedhës prej 500 eurosh", thuhet në njoftimin e policisë e cila tha se ka konfiskuar edhe materiale të tjera përfshire edhe dy pasaporta të Kamerunit, një patentë shoferi dhe një leje qëndrimi për në Francë.

XS
SM
MD
LG