Lidhje

Në mars Kosova luan ndeshjen e parë ndërkombëtare të futbollit


Ndeshja e parë miqësore me lejen e FIFA-s do të luhet në Mitrovicë më pesë mars kundër përfaqësueses së Haitit

Në fillim të muajit mars, Kosova për herë të parë do të luajë një ndeshje ndërkombëtare të futbollit nën përkujdesjen e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit.

Ndeshja pritet të zhvillohet kundër ekipit të futbollit të Haitit, më pesë mars në Mitrovicë.

Njoftimi pasoi vendimin e Federatës Ndërkombëtarë të Futbollit e cila në mesin e janarit dha lejen Kosovës që ekipet e saj të luajnë ndeshje miqësore të futbollit në planin ndërkombëtarë.

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, e kishte cilësuar atëbotë vendimin si një “shtyrje të madhe për zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe që sërish konfirmon forcën e jashtëzakonshme të këtij sporti për t’i bashkuar njerëzit”.

Sipas FIFA-s ekipeve të Kosovës u lejohet të luajnë ndeshje ndërkombëtare miqësore, tash për tash, pa simbole shtetërore dhe me një shënim (fusnotë) afër emrit të saj. Shënimi ishte pjesë e marrëveshjes së vitit 2012 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me të cilin i mundësohej Kosovës pjesëmarrja në forumet ndërkombëtare.

Leja për lojëra miqësore nuk përfshinë vendet e dala nga ish Jugosllavia.
Në dokumentin e FIFA-s thuhet se klubet dhe ekipet përfaqësuese të Federatës së Futbollit të Kosovës nuk mund të luajnë ndeshje zyrtare ose kualifikuese përderisa kjo federatë të mos jetë anëtare e FIFA-s.

Ndeshjet miqësore mund të zhvillohen në territorin e Kosovës me kusht që FIFA është e informuar me shkrim së paku 21 ditë para secilit takim dhe kjo pastaj do të informojë Federatën e Futbollit të Serbisë.

Çdo lloj shkelje e këtij vendimi do t’i referohet FIFA-s dhe marrëveshja automatikisht do të prishet.

Në maj të vitit 2012, FIFA ishte pajtuar në parim për të lejuar Kosovën që të luajë ndeshje miqësore, por për shkak të kundërshtimit të fuqishëm nga Serbia dhe nga presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit, Michel Platini, vendimi përfundimtar është zvarritur deri tash.

Kosova e cila shpalli pavarësinë e saj gjashtë vjet më parë dhe është njohur nga mbi 100 vende të botës, ende nuk mund të jetë anëtare e FIFA-s për shkak se nuk është anëtarë e Kombeve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG