Lidhje

Qeveria hap rrugën për votimin e themelimit të Forcave të Armatosura


Themelimi i Forcave të Armatosura kërkon dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga pakicat kombëtare.

Qeveria e Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe tash çështja do të kalojë në Parlamentin e vendit.

Ndryshimet kërkojnë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve dhe njëkohësisht dy të tretat e votave të deputetëve të pakicave kombëtare.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se është thelbësore që nuk po ndërtohen forca të armatosura mbi baza etnike.

Pranverën e vitit të kaluar, qeveria e Kosovës vendosi themelimin Forcave të Armatosura që do të kenë 5 mijë pjesëtarë aktiv dhe tre mijë rezervë. Por, parlamenti atëbotë dështoi të miratojë themelimin e këtyre forcave dhe ai dështim ishte vendimtar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Themelimi i këtyre forcave nuk shihet me sy të mirë nga Beogradi i cili pohon se në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, NATO-ja kishte dhënë garanci se nuk do të ketë shtrirje të formacioneve ushtarake të shqiptarëve në veri të Kosovës pa pëlqimin e KFOR-it.

Përfaqësues të serbëve kanë hedhur edhe idenë e krijimit të një njësie të posaçme të këtyre forcave që do të vepronte në veri, një ide e papranueshme për Prishtinën.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG