Lidhje

Kosovë, të kthyerit nga Siria kërkojnë amnisti dhe riintegrim


Në Kosovë të kthyerit nga lufta e Sirisë, bënë thirrje sot që institucionet dhe komunitetit të ndihmojnë në trajtimin sa më të mirë të të kthyerve nga luftërat e huaja në Kosovë. Këto komente u bënë në një diskutim me temën “Lufta në Siri dhe tregimi publik i ish-luftëtarëve – çka më tutje?”

Amnistia e kushtëzuar ose e mbikëqyrur, përdorimi i masave të buta në trajtimin e rasteve si dhe mos paragjykimi, ishin kërkesat kryesore të disa prej të kthyerve.

Njëri prej tyre, Hajrush Laçi, shprehu pakënaqësinë me trajtimin që u bëhet të kthyerve nga luftërat e huaja në Kosovë.

Ajo çfarë kërkoj është amnisti, ri integrim për të gjithë njerëzit që janë të kthyer prej luftërave të huaja. Unë jam dëshmitar, në 2014-tën në intervistë kam thanë që shumë shokë i njoh të vendit tim që janë njerëz të pafajshëm, dhe nuk do t'i bëjnë dëm këtij vendi, dhe kjo realisht ndodhi qe tre vjet, për shumë vendas që unë i njoh aty mos t'i them me emra. Veç kësaj ata e dëshmuan veten që janë njerëz të këtij vendi, bij të këtij vendi, që nuk janë terroristë edhe qe tre vjet radhazi e kanë dëshmu veten si mysliman të ndershëm e humanistë”, tha ai.

I kthyeri tjetër, Nexhat Behluli, tha se nuk mund të nxitet kthimi i luftëtarëve duke i futur në burg, por atyre duhet t'u ofrohet arsimim e punësim.

Problemi është që njerëzit nëse ka mundësi me i integru, edhe ata që janë atje me i ftu me i kthy këtu. Ndërsa, ti e fton dhe ai si ta lexon 15 vjet burg nuk kthehet fare këtu. Është një rast në Ferizaj, flet nëna e vet i thotë 'kthehu bir' , ai thotë “pse me u kthy, pse me i mbajtë 5 vjet burg më mirë po rri atje”. Mundësia është që na me punu, me i kthy njerëzit me i integru, shkollu, me i punësu, nëse i futim në burg këta më shumë radikalizohen. Edhe nuk ka zgjidhje tjetër, mundësia është ma e mirë që me punu me ta me u sjell mirë me ta, se unë e shoh që na fyjnë e na shajnë..”, tha Behluli.

Kujtim Bytyqi, nga Sekretariati i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, tha se mbështet idenë e përdorimit të masave të buta.

Edhe unë jam ithtar i krijimit të një qendre specifike të rehabilitimit dhe riintegrimit, ku qasje të vazhdueshme ditore mund të kenë edhe psikologët, po edhe familjarët janë shumë të rëndësishëm me kontaktu në baza ditore me njerëz që janë brenda qendrës”, tha Bytyqi.

Albert Berisha, një i kthyer tjetër nga Siria, u bëri thirrje të rinjve që të mësojnë prej siç tha, gabimeve që ai dhe ish luftëtarët e tjerë kanë bërë.

Lexoni sa ma shumë për islam, bëhuni të dobishëm për vete dhe familjet tona, bëhuni të dobishëm për shoqëri. Mos e fajësoni islamin për gabimet tona, na jemi gabimtarë, mësoni prej gabimeve tona. Nuk është islami i gabueshëm, islami është një dhe pa gabim”, tha Berisha.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 314 qytetarë të Kosovës, kanë shkuar atje në periudha e rrugë të ndryshme. Një e treta e tyre janë kthyer në Kosovë, kryesisht të zhgënjyer më atë çfarë kishin parë dhe përjetuar atje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG