Lidhje

Kosova dënon sulmin në Paris


Udhëheqësit politik dhe gazetarët e Kosovës thanë se qëndrojnë me Francën në luftën kundër terrorit dhe në mbrojtje të lirisë

Udhëheqësit më të lartë politikë në Kosovë e dënuan sulmin në redaksinë javores satirike franceze, Charlie Hebdo, në Paris.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cilësoi sulmin si “akt të tmerrshëm terrorist ndaj vlerave që i përqafojmë dhe që duhet t'i mbrojmë”, duke nënvizuar se “Kosova qëndron me Francën dhe solidarizohet me familjet e viktimave”.

Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate u shpreh “thellësisht e tronditur me aktin e sotëm terrorist në Paris të Francës. Qeveria e Kosovës dënon në mënyrën më të fuqishme këtë akt barbar dhe qyqar ndaj qytetarëve francezë, policisë dhe gazetarëve”.

Në komunikatë krahas ngushëllimeve, theksohet se “populli i Kosovës qëndron pranë popullit francez në luftën kundër terrorit, dhe në mbrojtje të vlerave të lirisë”.

Shefi i diplomacisë së Kosovës, Hashim Thaçi, në një reagim të tij thekson se “Kosova qëndron pranë Francës, kësaj kampione të humanizmit, lirisë dhe barazisë. Forcat e errëta kurrë nuk do të fitojnë, frika dhe terrori kurrë nuk do ta mund shpresën dhe lirinë. Populli dhe shteti i Kosovës është i bashkërenduar me Francën dhe francezët në këto çaste të vështira”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e dënoi sulmin në Paris duke e cilësuar atë “si sulm ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe fjalës së lirë”.

Sulmi në Paris u dënua edhe nga shoqatat e gazetarëve në Kosovë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në reagimin e tij thekson se “lajmi për vrasjen e 12 personave dhe plagosjen e 20 të tjerëve, e ka tronditur komunitetin e gazetarëve kosovarë dhe mbarë opinionin në Kosovë, duke dhënë alarmin për përmasat globale të rrezikut nga terrorizmi”.

Kjo shoqatë konsideron se “sulmi terrorist ndaj gazetarëve, përveç si akt i shëmuar, është edhe një përpjekje qyqare dhe e dështuar, për ta cenuar lirinë e shprehjes dhe të drejtës për të qenë i informuar”.

Në orët e mbrëmjes, grupe qytetarësh ju bashkuan kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli në ndezjen e qirinjve në kujtim të të vrarëve në sulmin e së mërkurës në Paris.

XS
SM
MD
LG