Lidhje

Kosovë: Qeveria miraton strategjinë kundër ekstremizmit


Autoritetet besojnë se aktualisht 70 – deri në 100 qytetarë të Kosovës ndodhen në Lindjen e Mesme duke luftuar përkrah grupeve të shpallura terroriste si Shteti Islamik.

Qeveria e Kosovës, miratoi të mërkurën një strategji kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.

Qeveria e Kosovës thekson se përmes saj do të bashkërendohen veprimet për forcimin e qëndrueshmërisë së shtetit dhe shoqërisë përballë kërcënimeve që vijnë nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Zëvendëskryeministri, Kujtim Shala, tha se “konfliktet në rajon dhe vendet me të cilat një pjesë e popullsisë së Kosovës ka lidhje tradicionale kulturore dhe historike, përbën një mundësi që mund t’i tërheqë qytetarët e Kosovës drejt radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Për Kosovën ky nuk është vetëm kërcënim global por edhe kërcënim lokal që duhet të merret parasysh dhe të trajtohet shumë seriozisht”.

Ai tha se miratimi i strategjisë “është një hap shumë i rëndësishëm për të ndërtuar një shoqëri të fortë dhe të qëndrueshëm, për të luftuar këtë dukuri globale dhe për t’u siguruar se ajo nuk ka vend në Kosovë”.

Strategjia është hartuar në bashkëpunim me Bashkësitë Fetare, organizatat e shoqërisë civile dhe faktorët ndërkombëtarë në Kosovë.

Autoritetet besojnë se aktualisht 70 – deri në 100 qytetarë të Kosovës ndodhen në Lindjen e Mesme duke luftuar përkrah grupeve të shpallura terroriste si Shteti Islamik.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri rreth 300 qytetarë besohet ë jenë përfshirë në luftë dhe sipas organizativë vëzhguese besohet se rreth 40 veta kanë humbur jetën,

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa me bashkëpunëtorë do të marrë pjesë në samitin e udhëheqësve, që do të mbahet më 29 shtator në New York me ftesë të presidentit amerikan, Barack Obama.

Samiti do të mbahet në selinë e Kombeve të Bashkuara në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme dhe në të do të diskutohet për të arriturat e shteteve në luftën kundër grupit militant që veten e quan Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë dhe ekstremizmit të dhunshëm. Në takim do të marrin pjesë vendet që llogariten si pjesë e koalicionit global antiterrorist ku janë përfshirë mbi 60 vende të botës.

Pritet që në takimin e 29 shtatorit të marri pjesë të gjitha vendet që kishin marrë pjesë e në takimin e mbajtur në shkurt të këtij viti në Shtëpinë e Bardhë për luftën kundër ekstremizmit.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet partnere ishin marrë vesh në atë takim që të rivlerësojnë përparimin e tyre në luftën kundër ekstremizmit gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në muajin shtator.

Atëbotë presidenti Obama që ishte mikpritës i takimit tha se qeveritë dhe kulturat e ndryshme të botës duhet të përpiqen që t’u jepet fund konflikteve sektare, siç është ai mes sunive dhe shiitëve në botën myslimane. Por udhëheqësit botërorë, - tha ai, - duhet t’i ndihmojnë njerëzit që t’u shpëtojnë varfërisë dhe shtypjes, për të cilat, ai tha se u shërbejnë përpjekjeve për rekrutimin e terroristëve.

Në shtator të vitit të kaluar presidenti Obama kishte drejtuar një mbledhje të Këshillit të Sigurimit i cili miratoi një rezolutë për pengimin e përfshirjes së luftëtarëve te huaj në radhët e ekstremistëve në Siri dhe Irak.

XS
SM
MD
LG