Lidhje

Qeveria e Kosovës miraton marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi


Qeveria e Kosovës miratoi në mëngjesin e së enjtes projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe e dërgoi atë për miratim në parlamentin e Kosovës.

Vendimi i qeverisë pasoi një debat 12 orësh të përfaqësuesve të institucioneve e partive politike, ekspertëve e diplomatëve perëndimorë, që nuk ndryshoi dallimet e thella rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Opozita dhe ekspertët e pavarur ritheksuan të mërkurën se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe hodhën poshtë pohimet e Komisionit Shtetërorë për kufirin se shënimi i tij është në pajtim me dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha të enjten se "ajo që ka punuar Komisioni Shtetëror është vërtetuar se ka qenë çdo gjë në rregull, se i është përmbajtur mandatit që e ka pas me vendim si Komision Shtetëror. Është vërtetuar se Kosova nuk humb asnjë pëllëmbë me këtë, dhe po ashtu me ligj ne e kemi lënë mundësinë që herë do kurdo në qoftë se vërtetohet ndonjë paqartësi ose ndonjë fakt juridik mbi të cilin ne mund të themi se ndonjë pëllëmbë e territorit ose një pjesë ka kaluar andej ekziston mundësia që me mirëkuptim me Malin e Zi ta rishqyrtojmë dhe ta rregullojmë edhe atë çështje. Për neve është me rëndësi themelore që ta ratifikojmë Marrëveshjen për Demarkacionin, që të krijojmë kushte të fqinjësisë së mirë dhe të stabilitetit me Malin e Zi, sepse është një vend i cili na ka përkrahur vazhdimisht dhe me të cilin kemi pas marrëdhënie të shkëlqyera. Vend që tani po pranohet në NATO, do të thotë kemi të bëjmë me një shtet të NATO-s".

Ai përmendi edhe vlerësimet ndërkombëtarë për këtë çështje, ndërsa theksoi se "kauza e opozitës lidhur me këtë është e paqëndrueshme, është artificialisht e krijuar. Nuk ka argumente që një çështje e tillë tani të kthehet ose që të pengohet, sepse na pengohen shumë procese të integrimeve evropiane dhe euroatlantike me këtë", tha kryeministri Mustafa sipas të cilit projektligji shkon në parlament me procedura të rregullta.

Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, tha të enjten në parlament se me marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi, Kosova nuk ka kufi.

Kur nuk ke kufi s’ke territor, kur nuk ke territor nuk ke shtet. Kur s’ke shtet s’ke qytetar e atëherë bëhesh refugjat, i cili nuk ka të drejta. Me marrëveshjen e demarkacionit, ne po vulosim si një vend që s’ka kufi e territor. Pretendimet e fqinjëve ndaj nesh legjitimohen. Ne me dokumentacion kadastral duhet ta dëshmojmë se Kosova qenka e jona. Kjo marrëveshje e Thaçit dhe Hysenit është marrëveshje e kapitullimit pas një luftë të humbur ku ne jemi palë e mundur. Ne tash e kemi marrëveshjen e kapitullimit, nuk mund të lexohet e kuptohet ndryshe, paska pas një luftë me bjeshkët e Rugovës dhe ne qenkemi mundur nga Mali i Zi. Kryetari i komisionit, bashkë me Thaçin Veselin e Hysenin, neve na sollën kapitullimin. Kuvendi së shpejti do të ftohet ta bëjë legjitimimin këtij akti të tradhtisë dhe krimit të pashembullt”, tha ai.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se versioni aktual i shënimit të kufirit e ka marrë përgjigjen dje në konferencën shkencore. Tash mbetet që kjo përgjigje të formalizohet edhe me votën kundër të deputetëve në Kuvend.

"Vota kundër që nënkupton mosratifikimin e versionit aktual të kufirit me Malin e zi, shënon edhe fillimin e zgjidhjes së kësaj çështjeje që e ka mbajtur peng vendin për afro një vit. Demarkacioni me Malin e zi, është një çështje jetike për Kosovën, dhe ky proces duhet të zhvillohet me profesionalizëm të plotë dhe në përputhje me standardet dhe me interesat e të dyja shteteve. Ky proces është mbipartiak. Konkluzat e një grupi deputetësh në fund të konferencës së djeshme, mund të jenë një hap fillestar i zgjidhjes së kësaj çështjeje. Çdo përpjekje e presionit mbi deputetë, ose edhe përpjekje për ta kontrabanduar ose blerë votën pro kësaj marrëveshjeje, është papërgjegjësi totale, e cila druajmë se do të mund të eskalojë në zhvillime të dhunshme", thuhet në një komunikatë të AAK-së në të cilën theksohet se institucionet dhe deputetët, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, sot më shumë se kurrë, kanë përgjegjësi që të vihen në mbrojtje të territorit të Kosovës dhe të interesave e të qëndrueshmërisë në vend.

E nënshkruar në gusht të vitit të kaluar në Vjenë, marrëveshja nuk ishte dërguar në parlamentin e Kosovës edhe për shkak të drojës së partive në pushtet se nuk mund të sigurojnë dy të tretat e votave, meqë edhe deputetë nga radhët e tyre mund të votojnë kundër për shkak të pakënaqësive me procesin.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha të enjten në mbledhjen e qeverisë se "nëse ka fakte të reja ligjore, dispozitat e marrëveshjes mund të ndryshohen dhe plotësohen me pëlqimin e palëve. Me pajtimin e palëve për ndryshimin e dispozitave të Marrëveshjes, mund të kërkohet edhe arbitrazh ndërkombëtar".

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vonesa e saj mund të bllokojë planet për miratimin e liberalizimit në strukturat e Bashkimit Evropian.

Opozita ka paralajmëruar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet për të penguar miratimin e kësaj marrëveshjeje duke theksuar se nuk mund të këmbehet territori me lëvizjen pa viza.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG