Lidhje

Nuk ka bashkëqeverisje ndërmjet PDK-së dhe AAK-së


Kosovo, Thaci & Haradinaj

Kosovo, Thaci & Haradinaj

Drejtuesit e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, nuk janë pajtuar të qeverisin bashkë

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dështuan të merren vesh për bashkëqeverisje.

Delegacionet e të dyja partive të drejtuara nga kryeministri Hashim Thaçi dhe ish kryeministri Ramush Haradinaj diskutuan sot për këtë çështje në një takim me dyer të mbyllura, pas të cilit u tha se “pas shqyrtimit të gjendjes aktuale politike në Kosovë, nuk u arrit marrëveshja e cila do të mundësonte bashkëqeverisjen e PDK-së dhe AAK-së, në rrethanat e tanishme”.



Ideja e bashkëqeverisjes u hodh menjëherë pasi që zoti Haradinaj u kthye nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte e cila e shpalli atë të pafajshëm më 29 nëntor të vitit të kaluar.

Ai tha atëbotë se është i gatshëm të marrë përgjegjësi për drejtimin e qeverisë. Debatet përshkuan fundvitin e kaluar dhe muajin janar të këtij viti në fund të të cilit Partia Demokratike rizgjodhi në krye të saj kryeministrin Hashim Thaçi.

Takimi i sotëm u dha fund debateve për këtë çështje.

Në një komunikatë për opinion të lëshuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thuhet se kjo parti “do të ofrojë kontributin e saj në adresimin e çështjeve me interes shtetëror, siç janë: dialogu në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë; reforma e sistemit zgjedhor dhe integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian”.

Partia e zotit Haradinaj është bërë pjesë e procesit të bisedimeve me Serbinë nëpërmjet nënkryetarit të saj Blerim Shala i cili është emëruar bashkërendues i këtyre bisedimeve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG