Lidhje

Prishtina i kërkon Beogradit vetëpërmbajtje


Qeveria e Kosovës u bëri thirrje sot autoriteteve të Beogradit që të përmbahen nga deklarimet e tyre lidhur me procesin gjyqësor kundër ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, që pritet të përmbyllet më 29 nëntor.

Në një komunikatë për opinion, qeveria e Kosovës thekson se është duke ndjekur më vëmendje të posaçme procesin ndaj zotit Haradinaj, duke nënvizuar se drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme dhe profesionale, dhe të mos ndikohet nga askush, e as nga politika.

Deklarata e qeverisë së Kosovës pasoi deklaratat e zyrtarëve të lartë të Serbisë sipas të cilëve ndonjë vendim i mundshëm për lirimin e Zotit Haradinaj do të mund të ndikonte edhe në rrjedhën e procesit aktual të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin, u ka thënë medieve serbe se “pas lirimit të ish-gjeneralëve kroatë, Ante Gotovina dhe Mladen Markaç, Gjykatës së Hagës i mbetet të lirojë vetëm Ramush Haradinajn dhe në këtë mënyrë do të liroheshin të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj serbëve”.

Të premten e Gjykata e Hagës liroi dy gjeneralët kroat, pasi nuk ka gjetur dëshmi për sic është thënë “angazhim të përbashkët kriminal, me qëllim largimin e popullatës civile nga Krajina - territor kroat – në vitet 1990”.

Qeveria e Kosovës thotë se këto qëndrime janë tendencë për të ndikuar në vendimin e Gjykatës ndërsa u bëhet thirrje autoriteteve të Serbisë të jenë të përmbajtur.

Ish kryeministri Haradinaj, u shpall i pafajshëm për akuzat për krime lufte në prill të vitit 2008. Ndërkaq ai u rikthye ne rigjykim në korrik të vitit 2010. Vendimi për rigjykim të pjesshëm është i pari i këtij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

XS
SM
MD
LG