Lidhje

Kosovë: Qeveria përshpejton rivotimin e Gjykatës së Posaçme


Qeveria e Kosovës tha se premten do të ridërgojë për votim në parlament ndryshimet kushtetuese që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme.

Qeveria e Kosovës, tha se do të mblidhet të premten për të shqyrtuar dhe ri proceduar në parlamentin e Kosovës propozim-amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me formimin e Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për krime lufte dhe projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar të mundshëm në proceset gjyqësore.

Në një njoftim të qeverise thuhet se ri procedimi në parlament, si dhe miratimi i këtyre amendamenteve kushtetuese nga ana e parlamentit, është një hap me rëndësi të posaçme për Kosovën në procesin e përmbushjes së detyrimeve që shteti i Kosovës ka marrë ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për miratoi themelimin e gjykatës së posaçme.

Qeveria e Kosovës tha sot se “përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare nga ana e Kosovës në këtë drejtim, në asnjë mënyrë nuk e konteston luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk do të cenojë vlerat e luftës së popullit të Kosovës. Përmbushja e këtij detyrimi nga institucionet e Kosovës, do të jetë në shërbim të zbardhjes së drejtësisë për dyshimet individuale që mund të lidhen me këtë proces dhe do të jetë një hap i rëndësisë së posaçme për proceset integruese euroatlantike, si dhe në shërbim të plotë të fuqizimit të mëtejshëm të partneritetit strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”.

Më 26 qershor, parlamenti dështoi të miratojë ndryshimet kushtetuese. Ishin 13 deputetë të Partisë Demokratike që votuan kundër, abstenuan, apo nuk morën fare pjesë në seancën e 26 qershorit, e cila nxiti shtimin e trysnisë ndërkombëtare për gjetjen e rrugëve për votimin e serishëm të ndryshimeve kushtetuese.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Opozita po bënë thirrje që të respektohet vendimi i deputetëve të parlamentit dhe të hiqet dorë nga themelimi i saj në formën si është ofruar aktualisht. Udhëheqësit e saj thonë se nuk janë kundër një gjykate për krime lufte, por kërkojnë që ajo të jetë gjithëpërfshirëse, ndërsa theksojnë se ri votimi do të dëmtojë rëndë demokracinë në vend.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën. Ata thonë po ashtu se dështimi i Kosovës për të ngritur gjykatën mund të çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kjo do të jetë e dëmshme për shtetin e ri.

XS
SM
MD
LG