Lidhje

Qeveria e Kosovës me ligj kundër përfshirjes së qytetarëve në luftërat jashtë vendit


Qeveria do të dërgojë në Parlament projektligjin që përfshirjen në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit e konsideron vepër penale.

Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin përmes se cilit bashkimi në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit konsiderohet vepër penale dhe e dënueshme me 5 deri në 15 vjet heqje lirie. Projektligji i miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë, pritet të dërgohet për miratim në Parlamentin e Kosovës.

Me këtë projektligj synohet të plotësohet kuadri ligjor i munguar që trajton përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftëra jashtë vendit.

Nisma për hartimin e këtij kuadri ligjor pasoi njoftimet se qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar. Autoritetet në Kosovë besojnë se rreth 100 shqiptarë nga Kosova mund të jenë duke luftuar në Siri kundër regjimit të Bashar Al-asadit, por askush nuk e di numrin e saktë të tyre.

Duke paraqitur projektligjin, ministri i brendshëm Bajram Rexhepi tha se nisma është në funksion të mbrojtjes së interesit shtetëror dhe sigurisë kombëtare.

Kohët e fundit është vërejtur një trend i rritjes së individëve të cilët me rritjen e vatrave të krizës në botë me qëllim të realizimit të sferave të tyre të interesit, të bashkëngjiten në formë të organizuar apo të pavarur, në kryengritje apo konflikte të ndryshme jashtë vendit, për shuma të caktuar të parave apo privilegjeve të tjera. Dhe, të njëjtit, pas kalimit të kohës së caktuar kthehen në vend dhe bëhen bartës të aktivitetit propagandistik dhe nxitjes së të tjerëve për bashkim apo pjesëmarrje në forma të tilla. Kemi konsideruar që është imediate krijimi i kornizës ligjore për ndjekjen dhe gjykimin për personat të tillë që marrin pjesë në konflikte apo në çfarëdo forme të organizimit joformal paraushtarak apo para policor jashtë territorit të Kosovës”, tha ai.

Ministri Rexhepi tha se projektligji është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit në vend.

Dënimet e parapara për kryesit e kësaj vepre penale sipas Prokurorit të Shtetit janë adekuate për kryesit e kësaj vepre penale si dhe kontribuohet edhe në parandalimin e përgjithshme të këtij fenomeni të dëmshëm për vendin tonë”, tha ministri Rexhepi.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos përfshihen në këtë luftë e cila, siç thuhet, ka marrë përmasa përtej luftës kundër regjimit të Bashar Al Asadit.

Edhe Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë thirrje në disa raste kundër përfshirjes së shqiptarëve luftën në Siri dhe që të mos bihet pre e interpretimeve të gabuara të islamit, thirrje të cilave u janë bashkuar tashmë edhe Bashkësitë Islame në Shqipëri e Maqedoni.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG