Lidhje

Kosova bëhet me qeveri


Parlamenti i Kosovës me 73 vota për 38 kundër dhe dy të paanshme zgjodhi qeverinë e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa

Parlamenti i Kosovës votoi sot formimin e qeverisë së re që do të drejtohet nga kryeministri Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai mori votat e 73 deputetëve, ndërsa 38 votuan kundër dhe dy vota ishin të paanshme.

Ai mori të hënën mandatin për themelimin e qeverisë nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ndërsa u propozua nga kryetari i Partisë Demokratike Hashim Thaçi, pak kohë pasi që Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike nënshkruan marrëveshjen e plotë për bashkëqeverisje.

Sipas marrëveshjes kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, mori postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të punëve të jashtme. Sipas saj, zoti Thaçi do të marrë postin e presidentit pas skadimit të mandatit të presidentes Atifete Jahjaga në pranverën e vitit 2016.

Mbledhja e së hënës pasdite u bojkotua nga deputetët e Listës serbe të cilët kanë vënë disa kushte për përfshirjen e tyre në qeveri, siç janë formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, kthimi i qëndrueshëm i personave të shpërngulur, mundësimi i kthimit të pronës së Kishës Ortodokse Serbe si dhe anulimi i privatizimit të ndërmarrjeve në mjediset ku jetojnë serbët. Jo zyrtarisht thuhet se ata kanë kërkuar më shumë përfaqësim në institucionet shtetërore e publike të Kosovës.

Lista serbe mori pjesë në seancën e mesditës ku me 71 për, 41 kundër dhe një të paanshme zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli u zgjodh në postin e kryetarit të parlamentit.

Të hënën u mbushën gjashtë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zvarritja e ndërtimit të institucioneve e kishte futur Kosovën në krizën më të thellë institucionale që nga shpallja e pavarësisë së saj në shkurt të vitit 2008.

Marrëveshja ndërmjet dy partive më të mëdha, vazhdon të kritikohet nga partitë tjera shqiptare, të cilat e kanë cilësuar koalicionin e ri të dëmshëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

BE-ja mbështetë qeverinë e re të Kosovës

Zyra e Bashkimit Evropian dhe ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së mirëpritën formimin e qeverisë së Kosovës. Në një komunikatë të përbashkët ata thanë se “para Kosovës ndodhen shumë sfida, nga ajo e reformave politike dhe ekonomike, deri te shndërrimi në përparësi të zhvillimit socio-ekonomik dhe punësimit, nga ripërtëritja e përkushtimit ndaj dialogut me Beogradin, deri te vendosja e theksit në qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe rritje të përpjekjeve për luftimin e korrupsionit, bashkëpunim të plotë me EULEX-in dhe krijimin e gjykatës së posaçme”.

Qytetarët e Kosovës, si dhe komuniteti ndërkombëtar, thuhet në komunikatë presin që institucionet e sapo formuara t'iu qasen këtyre sfidave me energji, përkushtim dhe vendosmëri.

Të gjitha këto përparësi janë qenësore për zhvillimin e Kosovës dhe rrugën e saj evropiane. Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij janë të gatshëm për të mbështetur parlamentin dhe qeverinë në punën e tyre, thuhet në komunikatë.

Përbërja e qeverisë:

Kryeministër i Republikës së Kosovës - Isa Mustafa

Zëvendëskryeministër i Parë - Hashim Thaçi

Zëvendëskryeministër - Kujtim Shala

Zëvendëskryeministër Branimir Stojanoviq

PDK:

1. Ministër i Punëve të Jashtme - Hashim Thaçi

2. Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë - Arsim Bajrami

3. Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural - Memli Krasniqi

4. Ministre pa portofol - Edita Tahiri

5. Ministër i Drejtësisë - Hajredin Kuçi

6. Ministër i Integrimit Evropian - Bekim Qollaku

7. Ministër i Zhvillimit Ekonomik - Blerand Stavileci

8. Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor - Ferid Agani

9. Valon Murati ministër i Diasporës,

LDK:

1. Ministër i Punëve të Brendshme - Skender Hyseni

2. Ministër i Shëndetësisë - Imet Rrahmani

3. Ministër i Infrastrukturës - Lutfi Zharku

4. Ministre e Tregtisë dhe Industrisë - Hikmete Bajrami

5. Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës - Haki Demolli

6. Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit - Kujtim Shala

7. Ministër e Punës dhe Mirëqenies Sociale - Arban Abrashi

8. Ministër i Financave - Avdullah Hoti

Partitë e pakicave kombëtare

1. Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal - Lubomir Mariq

2. Ministër për Komunitete dhe Kthim - Aleksandar Jablanoviq

3. Ministër i Administratës Publike - Mahir Yagcilar.

4 Rasim Demiri - ministër pa portofol

XS
SM
MD
LG