Lidhje

Isa Mustafa – fillon punën si kryeministër


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori sot detyrën nga ish kryeministri Hashim Thaçi

Kryeministri i ri i Kosovës, Isa Mustafa, mori edhe zyrtarisht detyrën nga ish-kryeministri, Hashim Thaçi. Kalimi i pushtetit u bë në një ceremoni solemne të përcjellë nga parakalimi i Gardës së Kosovës.

Ish kryeministri Thaçi, i lëshoi partnerit të tij në koalicionin qeverisë, karrigen prej nga kishte qeverisur Kosovën për shtatë vjet me radhë. Ai u zhvendos një kat më lartë në ndërtesën e qeverisë prej nga do të drejtojë diplomacinë e Kosovës.

Pak çaste pas ceremonisë, ai u ul në të djathtë të kryeministrit Isa Mustafa që drejtoi mbledhjen e parë të qeverisë së Kosovës.

Të martën parlamenti i Kosovës votoi formimin e qeverisë së re që do të drejtohet nga kryeministri Isa Mustafa. Me këtë votim ju dha fund boshllëkut gjashtë muajsh që e kishte futur Kosovën në krizën më të thellë institucionale që nga shpallja e pavarësisë së saj në shkurt të vitit 2008.

Kjo është hera e dytë që Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike merren vesh për koalicion qeverisës, ndërsa është hera e parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, që Lidhja Demokratike drejton qeverinë.

Marrëveshja ndërmjet dy partive më të mëdha, vazhdon të kritikohet nga partitë tjera shqiptare, të cilat e kanë cilësuar koalicionin e ri të dëmshëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

Formimi i qeverisë u mbështet nga diplomacia euro amerikane e cila vuri theksin tek sfidat që e presin atë në luftën për zhvillimin ekonomik, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj qytetarëve të Kosovës por edhe detyrimeve ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG