Lidhje

Malajzi:Arrestohet një shtetas i Kosovës për bashkëpunim me ISIS-in


Në një rast që Departamenti amerikan i Drejtësisë e konsideron të parin e këtij lloji, Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Ardit Ferizin se i ka dhënë ISIS-it të dhënat e mbi një mijë e 300 pjesëtarëve të ushtrisë dhe qeverisë amerikane

Në një rast që Departamenti amerikan i Drejtësisë e konsideron të parin e këtij lloji, Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar një shtetas të Kosovës se ka kryer pirateri kompjuterike dhe i ka dhënë informacion personal të mbi 1 mijë anëtarëve të ushtrisë amerikane grupit militant Shteti Islamik.

Autoritetet e Malajzisë kanë arrestuar Ardit Ferizin me një urdhër arresti të Shteteve të Bashkuara. Departamenti i Drejtësisë do të kërkojë ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.

Prokurorët e akuzojnë Ferizin se drejtonte një grup piraterie në internet të quajtur Siguria e Hakerave të Kosovës.

Ata thonë se ai hyri në sistemin e kompjuterave të një kompanie me qendër në Shtetet e Bashkuara dhe vodhi informacionin personal të 1 mijë e 351 anëtarëve të ushtrisë amerikane dhe punonjësve federal dhe ia dha atë informacion terroristëve.

Zyrtarët policorë në Malajzi thanë se i dyshuari është arrestuar më 15 shtator dhe se hetimet tregojnë se ai ishte në kontakt me një udhëheqës të lartë të Shtetit Islamik në Siri.

I dyshuari, sipas autoriteteve në Malajzi kishte shkuar atje në gusht të vitit 2014 për të studiuar shkencat kompjuterike. Ai pritet t’u dorëzohet autoriteteve amerikane të drejtësisë.

Mediat në Kosovë thonë se i dyshuari është me prejardhje nga qyteti i Gjakovës, rreth 90 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Ndërmjet qershorit dhe gushtit të vitit 2015, Ferizi në mënyrë të paligjshme i dorëzoi të dhënat tek anëtari i ISIS-it, Junaid Hussain, i njohur si Abu Hussain al-Britani.

Më 11 gusht 2015, në emër të “Divizionit të hakerëve të Shtetit Islamik”, Hussaini bëri një postim në twitter me titullin, ‘Ushtria dhe qeveria amerikane janë sulmuar nga hakerët e IS-it’ bashkë me një hyperlink që përmbante një dokument 30 faqesh. Në një pjesë të dokumentit thuhej se ‘ne jemi në sistemet tuaja kompjuterike dhe në postën tuaj elektronike, duke ndjekur e regjistruar cdo lëvizje, i kemi emrat e adresat tuaja, jemi në llogaritë e postës suaj elektronike dhe rrjeteve sociale, ne po nxjerrim të dhënat tuaja të besueshme dhe po ua kalojmë të dhënat personale tek ushtarët e kalifatit, të cilët së shpejti me lejen e Allahut, do të godasin qafat tuaja në vendet tuaja’.

Në 27 faqet tjera ishin emrat, adresat elektronike, pasvordet, vendbanimet dhe numrat e telefonave të rreth një mijë e 350 pjesëtarëve të personelit të qeverisë dhe ushtrisë amerikane. Postimi synonte t’i kalojë këto të dhëna tek mbështetësit e ISIS-it në Shtetet e Bashkuara, për të nxitur sulme terroriste ndaj individëve.

Nëse shpallet fajtor, Ferizi mund të dënohet deri në 35 vjet heqje lirie.

XS
SM
MD
LG