Lidhje

Bombë para Gjykatës Kushtetuese të Kosovës


Një bombë dore është gjetur në mëngjesin e së mërkurës në oborrin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

Policia e Kosovës kreu një shpërthim të kontrolluar të një bombe të dorës para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese.

Zyrtarët e policisë nuk dhanë hollësi për rrethanat në të cilat është gjetur bomba, para Gjykatës Kushtetuese e cila aktualisht është në proces të shqyrtimit të kushtetutshmërisë së marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është arritur në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tetë ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi “masën e përkohshme” me të cilin pezullon zbatimin e kësaj marrëveshjeje deri në vlerësimin e përputhshmërisë së saj me Kushtetutën e Kosovës.

Vendimi i Gjykatës pasoi kërkesën e bërë ditë më parë nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga për “vlerësimin e përputhshmërisë së ‘Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë me frymën e Kushtetutës së Kosovës”.

Në vendimin e gjykatës thuhet se masa e përkohshme nuk paragjykon ndonjë vendim të mëtejshëm që do të nxirret nga Gjykata “për pranueshmërinë apo për meritat e kërkesës”.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i kërkoi më 30 tetor Gjykatës Kushtetuese interpretimin e përputhshmërinë së parimeve të asociacionit të komunave me shumicë serbe me Kushtetutën e Kosovës.

Vendimi i saj pasoi një periudhë tensionesh të brendshme politike për shkak të kundërshtimit nga ana e partive opozitare ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht.

Opozita bllokoi punën e parlamentit duke theksuar se marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dëmton shtetin e Kosovës. Sipas marrëveshjes ku asociacion do të ketë një shkallë autonomie në disa fusha, siç janë arsimi, shëndetësia e planifikimi urban e rural.

Për gati dy muaj, partitë opozitare nuk lejuan mbajtjen e seancave të parlamentit në të cilat u hodh gaz lotsjellës dhe të cilat u përshkuan me skena dhune për shkak të mospajtimeve.

Vendimi i Presidentes Jahjaga nxiti reagimin e Beogradit, i cili kërkoi ndërhyrjen e Bashkimit Evropian. Përfaqësuesit serbë në parlamentin e Kosovës thanë se dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese të paktën do të zvarris për një kohë ngritjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe, meqë shqyrtimi në këtë Gjykatë mund të zgjas deri në 60 ditë.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Beogradi pret që brenda këtij viti të hapen kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim. Kosova përfitoi ndërkaq Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit e cila u nënshkrua më 27 tetor.

XS
SM
MD
LG