Lidhje

Haradinaj akuzon qeverinë për kufirin me Malin e Zi


Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga komisioni parlamentar për punë të jashtme në shenjë pakënaqësie me vijën kufitare me Malin e Zi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dha dorëheqje nga posti i anëtarit të Komisionit për Politikë të Jashtme të parlamentit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Në një njoftim të kësaj partie ai citohet të ketë thënë se “komisioni për Politikë të Jashtme është shndërruar në një instrument politik të kryeministrit Isa Mustafa dhe zv/kryeministrit Hashim Thaçi, dhe e ka humbur kuptimin dhe rolin që duhet ta ketë. Meqenëse në disa raste, ky komision ka paraqitur edhe raporte apo dokumente të korruptuara, siç është edhe raporti i komisionit Shtetëror për Demarkacion, unë nuk e shoh veten pjesë të këtij instrumenti dhe lojërave politike që po provohen të kryhen përmes tij”.

Zoti Haradinaj ka shprehur disa herë pakënaqësinë me procesin e shënimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, marrëveshja për të cilin u nënshkrua në Vjenë më 26 gusht.

Opozita është e bindur se me këtë proces, Kosova humbë rreth 12 mijë hektarë tokë, ndërsa qeveria është e bindur se nuk humbë asnjë metër katrorë. Sipas qeverisë shënimi i kufirit është në pajtim me marrëveshjen ndërkombëtare, përkatësisht me propozimin e ish të dërguarit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisari në bazë të të cilit është shpallur edhe pavarësia e Kosovës si dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974 të ish Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës

Marrëveshja për shënimin e kufirit duhet të ratifikohet nga parlamenti i Kosovës.

Kosova ka përmbyllur shënimin e kufirit me Shqipërinë pa asnjë pengesë, ndërsa shënimi i kufirit me Maqedoninë përfundoi mes shumë debatesh në tetor të vitit 2009. Por, çështja e kufijve të Kosovës nuk përmbyllet as me shënimin e kufirit me Malin e Zi. Serbia nuk e njeh pavarësinë e shtetit të ri të shpallur në shkurt të vitit 2008 dhe rrjedhimisht as kufijtë e tij.

XS
SM
MD
LG