Lidhje

Haradinaj: Prisja më shumë nga bisedimet me Serbinë


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Zërin e Amerikës shprehet i pakënaqur me ritmin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ai thotë se mbështetja që i ka dhënë këtij procesi sikundër edhe proceseve të tjera të drejtuara nga qeveria e Kosovës i kanë kushtuar në zgjedhjet për pushtetin komunal.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj Kosova po mbyll një vit fundi i të cilit po përshkohet nga ngritja e udhëheqjeve të reja komunale të dala nga zgjedhjet e fundit që çuan në ndryshime në gjeografinë politike të vendit. Si i vlerësoni ju këto zgjedhje posaçërisht në dritën e rezultateve të partisë suaj.



Ramush Haradinaj: E para, janë zgjedhje me rëndësi sepse kemi mbërri që t’i mbajmë në gjithë vendin, përfshirë edhe komunat e veriut. Këto zgjedhje kanë pasur ndjeshmërinë e vet dhe ka pasur një preokupim të madh të të gjithëve neve për këto zgjedhje edhe për faktin se zgjedhjet e kaluara nuk kishin një cilësi të duhur. Është mirë që Kosova e kaloi këtë test të demokracisë dhe zgjedhjet ishin të lira e të rregullta dhe u mbajtën në gjithë vendin. Me rëndësi po ashtu është që rezultati i këtyre zgjedhjeve është i pranueshëm nga të gjithë pjesëmarrësit. Kuptohet, ne nuk jemi të kënaqur me rezultatin tonë si Aleancë. Kemi marrë 15 për qind të votës së qytetarëve të vendit, përfaqësojmë në asambletë komunale anembanë vendit, marrim pjesë në qeverisje në shumë komuna të vendit në bashkëqeverisje dhe udhëheqim me tri komuna, po nuk ishte nje rezultat i kënaqshëm.

Zëri i Amerikës: A i keni identifikuar arsyet sepse kritikët tuaj thonë se afria me qeverinë aktuale ishte një nga shkaqet që mbase kanë ndikuar?

Ramush Haradinaj: Besojmë se është njëra nga ato arsyet pse nuk kemi marrë më shumë votë nga qytetarët, është paqartësia në raportet me qeverinë aktuale. Kemi qenë të hendikepuar sepse ne morëm obligim me ndihmue në proceset nacionale siç ishte situata e dialogut me Serbinë, pastaj në agjendën evropiane në parlamentin e vendit dhe legjislacionin që ndërlidhet me tema të interesit nacional. Dhe ishte e vështirë pastaj me e nda këtë pjesë nga të bërit opozitë të pastër. Dhe kësisoj, i gjithë ky vit ne na shkoi në këtë frymë. Edhe pse ne kemi bërë përpjekje vazhdimisht me iu shpjegu qytetarëve pozicionin tonë, vlerësimin tonë rreth qeverisjes se zotit Thaçi, prapë se prapë ata e shihnin një dualizëm. Ka edhe arsye tjera. Ka pasur kampanja negative të drejtuara kundër nesh. Vazhdojnë këto kampanja, përfshi edhe me involvimin e aspektit fetar e me gjëra të tjera. Dhe së fundi e kemi edhe atë që e tha njëri nga kolegët që ishte kandidat për mandatin e tij të tretë, tha pushteti të konsumon. Mendoj që këto ishin argumentet kryesore që nuk na lejuan më shku më tutje edhe pse kemi një rritje të bazës votuese, nuk na lejuan me mbërri rezultat më të madh.

Zëri i Amerikës: Zgjedhjet komunale për herë të parë u mbajtën në tërë Kosovën u bënë të mundura me bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Çfarë i sollën Kosovës tjetër këto bisedime?

Ramush Haradinaj: Të them të drejtën, në rast se kthehemi një vit prapa dhe shohim nisjen e bisedimeve, ne i kemi pasur pritjet më të mëdha. Ne kemi biseduar se ky proces do të jetë shumë më serioz, shumë me, ta quaj kredibilitetin e duhur, me vendosmërinë e aktorëve që zhvillimet të shkojnë me një dinamikë të caktuar. Nuk mund të them se jam i kënaqur pas një viti me dialogun, me ecurinë e këtij dialogu. Shpesh herë janë kthyer në tema të njëjta, janë ftuar përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë me i ri diskutue temën për të cilën kemi rënë dakord disa herë. Pra, e vërtetë që na ka mundësuar me e hapë çështjen e veriut, sepse interesi im dhe i Aleancës dhe arsyeja pse e kemi ndihmuar këtë proces, nuk ka të bëjë vetëm me marrëdhëniet Kosovë – Serbi, ka të bëjë me normalizimin e gjendjes në Kosovë, kuptohet në veri, shtrirjen e juridiksionit e me radhë. Ka disa rezultate, nuk mund të them se nuk ka rezultate, është situata me gjendjen në pikat kufitare të vendit, është situata, plani i caktuar që të ndodhë vendosja e rendit dhe ligjit, sikur që i shihni mekanizmat që duhet të ndërtohen e integrohen në sistemin e Kosovës, por prap është një dinamike e ngadalshme, është një abuzim, do ta quaja me këtë proces nga palët dhe kjo dinamike dhe kjo mënyrë në aspektin kohor, nuk përputhet me kërkesat që ka Kosova.

Zëri i Amerikës: Ju thoni se një prej gjërave të mira ishte përpjekja për integrimin e veriut të Kosovës, por kritikët thonë se realisht atje është funksionalizuar një entitet i veçantë serb tashmë i njohur edhe ndërkombëtarisht...?

Ramush Haradinaj: Nuk e shoh deri në atë shkallë ose deri në atë nivel gjendjen në veri. Në rast se e shohim gjendjen para zgjedhjeve ta zëmë ose gjendjen para një viti dhe sot, mendoj se procesi po shkon në drejtimin e duhur. E vetmja që më shqetëson është koha. Po merret shumë kohë, po riciklojmë tema në vazhdimësi dhe kjo është kohë. Koha e humbur nuk u ndihmon as qytetarët në veri, Kosovës jo se jo, po nuk mendoj se as fqinjit tonë Serbisë apo edhe BE-së dhe të gjithë aktorëve që kanë interes në këtë dialog nuk ju ndihmon një ngadalësim kaq i madh.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, Serbia tashmë mori datën për fillimin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian. A nuk e bën kjo Serbinë fituese më të madhe në këtë proces?

Ramush Haradinaj: Këto proces mund t’i shohim të ndërlidhura, ta zëmë, procesin e aftësimit ose rrugëtimit të Serbisë drejt BE-së. Është një proces, sipas bindjes sime, i domosdoshëm, i duhur për secilin nga ne. Para e me e pa se a janë fitues ata, duhet të shohim se sa ne vet po punojmë për fitoret tona si Kosovë. Mendoj se hendikepi ynë është kualiteti qeverisës. Kryetari i qeverisë aktuale, zoti Thaçi dhe partia që ai udhëheqë, koalicioni qeverisës, mendoj se ka humbur shumë kohë dhe ka varur shumë shpresa vetëm në dialog, duke menduar se të gjitha rezultatet në planin ndërkombëtar të Kosovës, do t’i vijnë nga qasja që ka Kosova në këtë proces. Por, këtu ka gabuar sepse njëra nga elementet kyçe në çdo vlerësim dhe në cdo hap drejt aftësimit për BE, drejt marrjes së njohjeve të reja, aftësimit për NATO, ka të bëjë me kualitetin e qeverisjes së brendshme, me kualitetin e shtetit, çfarë shteti je. Mendoj se këtu qeverisja Thaci e ka notën e keqe. Mendoj se kualiteti qeverisës ka degraduar në Kosovë dhe ne për këtë e pësojmë. Ne nuk po e pësojmë nga qasja jonë në dialog, ose nga mungesa e ndonjë konstruktiviteti të caktuar me akterët ndërkombëtar, por ne po e pësojmë dhe kemi filluar të paguajmë çmim për kualitetin e dobët qeverisës në vend.

Zëri i Amerikës: Por, angazhimi në bisedimet me Serbinë e bëri kryeministrin Thaçi të propozuar nga katër ligjvënësve amerikan kandidat për çmimin Nobel. Si e shihni ju këtë propozim?

Ramush Haradinaj: Mendoj se në planin e një PR (marrëdhënieve me publikun), të një imazhi për Kosovën, kjo është një diçka e mirë dhe pse jo. Por, nuk do të ishte dashtë ndoshta që këtu të vlejë po ashtu kriteri se si është sjellë me qeverisjen. Në rast se merret përgjegjësia qeverisëse atëherë ka një shpërputhje të madhe. Por, është e vërtetë se mund t’i jepet një përkrahje, një vlerësim pozitiv i angazhimit të tij tepër konstruktiv sa i përket dialogut, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve dhe qasjes konstruktive që ka ndaj akterëve ndërkombëtarë të involvuar. Por, i mungon ajo që është tepër e rëndësishme realisht për çdo udhëheqës, që është qasja ndaj jetës së njerëzve, ndaj qeverisjes, ndaj përgjegjësive që ka në vend.

Zëri i Amerikës: Ju keni paralajmëruar synimin tuaj që t’i zini vendin zotit Thaçi në zgjedhjet e ardhshme. Ku e mbështesni besimin tuaj për një mundësi të tillë po të kemi parasysh edhe zgjedhjet që sapo lamë pas?

Ramush Haradinaj: E vërteta qeverisëse ose kualiteti qeverisës në Kosovë ka degraduar shumë. Në rast se marrim parametrat nëpër sektorë veç e veç e shohim se nuk ka një qeverisje që është zhvillimore e cila rritet dhe krijon parametra të avancuar në vend. Ndërsa, vendi ka shumë nevojë për një qeverisje të tillë. Në rast se e shohim këtë dhe duke u bazuar në faktin se e njoh qeverisjen në masë të caktuar, kam qenë në qeverisje për një kohë të shkurtër 100 ditëshe, i njoh konstelacionet e brendshme në vend, unë besoj që mundem me i dhënë Kosovës një qeverisje zhvillimore dhe e e ofroj veten, e ofroj konceptin politik, i ofroj kualitetet qeverisëse të dëshmuara realisht të 100 ditëshit të dikurshëm duke e ditur se është shumë me nevojë për vendin tim. Këtë e bazojmë edhe në besimin që na e dha qytetari. Me gjithë ndëshkimin që ndodhi për kandidatët për kryetar në komuna të caktuara, qytetari i vendit na dha besim, ne kemi rritje si subjekt politik, rritje të theksuar në gjithë vendin me votë. Pra, është një tregues se ne na dha të drejtën me e vazhdue me ofertue para qytetarëve, para votuesve në vitin që vjen që të qeverisim me vendin, Jam i bindur se kjo do të ndodhë me dinamikat që kemi në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme varët nga përfundimi i reformës zgjedhore. Si po rrjedh kjo reformë dhe në këtë kuadër çfarë është qëndrimi juaj rreth vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë?

Ramush Haradinaj: Ne kemi marrë qëndrim që të kemi një reformë të plotë zgjedhore, pra të përmbyllim të gjitha temat e hapura në reformë. Për një pejsë të këtyre temave kemi mbërri dakordimin me subjekteve politike dhe kanë mbetur edhe disa tema. Njëra nga këto është edhe çështja e ulëseve të rezervuara për pakicat në Parlamentin e Kosovës. Unë dhe Aleanca kemi shprehur mirëkuptim, pra e kemi lënë të hapur mundësinë e vazhdimit për një mandat, jo për dy sikurse po thuhet, për një mandat me mundësi të shqyrtimit prap pas një mandati. Por më një mandat e mendojmë si një mundësi, në rast se ka dakordim në spektrin politik, e mendojmë këtë si mundësi për integrim më të lehtë dhe një hapësirë më të madhe për integrim. Pra, i lejojmë vetes hapësirë më shumë që me ndihmue integrimin e serbëve, veçanërisht atyre që janë në veri. Me këtë rast kishim me ndihmue edhe integrimin e malazezëve, kroatëve, pra një gjenerozitet i Kosovës do të vinte në shprehje. Tanimë s’është obligim kushtetues ose nga pakoja e zotit (Martti) Ahtisaari, por do të ishte një gjenerozitet yni duke i mundësuar vetes, duke krijuar më shumë hapësirë për përfaqësim të pakicave.

Zëri i Amerikës: Por kjo duhet të çojë në ndryshime kushtetuese. A duhet të ndodhë kjo?

Ramush Haradinaj: Reforma ka implikime kushtetuese realisht dhe nëse ka një dakordim të spektrit politik, kjo do të ishte një avancim, një gjenerozitet i Kosovës, për me i mundësue pakicave një përfaqësim dhe vet shoqërisë sonë integrimin e tyre më të lehtë.

Zëri i Amerikës: Kohëve të fundit janë shtuar diskutimet rreth shqetësimeve që nxitë përfshirja e shqiptarëve në luftën në Siri. Sa janë serioze këto shqetësime dhe çfarë po bëjnë institucionet e Kosovës për t’u përballur me to?
Ramush Haradinaj: E vërteta ka një tendencë që në Kosovë të depërtojë ose të kultivohet një frymë e rrezikshme islame, ta quaj ashtu, e cila vjen nga lëvizje të caktuara të rrezikshme po ashtu, fundamentaliste nëpër botë, të cilat provojnë me krijue terren dhe me rekrutue njerëz në Kosovë. Kosovarët, shumica janë mysliman, por janë mysliman, ta quaj, autokton me vlerat e tyre. Kemi edhe katolikë, shqiptarët janë po ashtu edhe të besimit ortodoks, pra e kemi një tolerancë fetare jashtëzakonisht të njohur dhe të kultivuar me shekuj. Jemi autokton si popull, kemi identitetin tonë shqiptar, mirëpo ka tendenca të vazhdueshme me mbjellë tek ne, tek shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, kudo që jemi realisht, një frymë ta quaj, radikale, ekstremiste, islame, që është e dëmshme për Kosovën, e cila është e dëmshme për shqiptarët, e cila nuk përputhet me identitetin tonë, me vlerat tona. Në këtë drejtim mendoj edhe shkuarja e shqiptarëve nga Kosova, ose nga rajoni për të luftuar në Siri, nuk mendoj se është në përputhje me frymën e lirisë, ose me bindje të lirisë universale, të së drejtës së popujve të jetojnë të lirë nga regjimet. Mendoj se është kryesisht produkt i këtyre lëvizjeve dhe është i rrezikshëm ky veprim dhe mendoj që cilido qytetar i Kosovës që e merr një veprim të tillë, ai është duke ndërmarrë një veprim kundër interesit të Kosovës, të shqiptarëve dhe kundër vlerave universale tonat që i kemi si popull, si vend.

Zëri i Amerikës: A rrezikohet Kosova nga lëvizjet e tilla?

Ramush Haradinaj: Po, shiko, këto nuk janë të dobishme, Nuk duhet neglizhuar, nuk duhet mohuar. Duhet me u përballë ashtu si përballen të gjitha shoqëritë në botë me fenomene, me dukuri që janë të dëmshme ose të rrezikshme për to. Edhe Kosova edhe shqiptarët duhet të përballen me to?

Zëri i Amerikës: A ka gatishmëri për t’u përballur?

Ramush Haradinaj: Mendoj se aktualisht nuk e bëjmë mjaftueshëm punën tonë, institucionet, arsimi, mediet, të gjithë me e shpjegue dallim në mes të drejtës në besim, që është një e drejtë po ashtu universale e për të cilën ne shqiptarët jemi të njohur për respektim e tolerancë dhe të influencave ose të lëvizjeve të rrezikshme realisht që kanë bërë dëme në të gjitha vendet prej nga vijnë e të cilat janë të rrezikshme për cilindo vend që infiltrohen ose instalohen në atë vend.

Zëri i Amerikës: Një nga dukuritë që e ka radhitur Kosovën shumë ultë në renditjen ndërkombëtare është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ku po ngecë dhe pse Kosova nuk po përballet dot me luftën kundër kësaj dukurie?

Ramush Haradinaj: Është edhe kjo pjesë, si të them, e vlerave shoqërore. A dëshirojmë me i dhënë rëndësinë e duhur kësaj vlere dhe a dëshirojmë me e ndërpre tolerancën në të gjitha hallkat e jetës sonë ndaj mënyrës së korruptuar të jetës, punës, vendimeve, mendimeve që i kemi. Mendoj se këtu rolin kryesor e ka qeveria e vendit. Do të thotë, këtu vijnë të gjithë akterët tjerë në shoqëri, por roli kryesor e ka qeveria e vendit dhe kryetari i qeverisë. Në rast se një tolerancë e vogël në metodat korruptive të punës nga i pari i shtetit, ajo shumëfishohet nëpër nivelet tjera dhe kësisoj bëhet e pamundshme me e ndërpre, ose me e ndalë ose me e goditë. Pra, se pari duhet të fillojmë më praktikën që të punojmë pa metoda korruptive, të mos involvohemi vet, në mënyrë që të mundemi të ndihmojmë shoqërinë dhe të mund t’i japim një mundësi shoqërisë me punue e me jetue pa metoda korruptive. Pra, duhet të fillojë nga qeveria, duhet të fillojë nga krerët e shtetit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG