Lidhje

Haradinaj: Hashim Thaçi të reflektojë


Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj i tha Zërit të Amerikës se është mirë për demokracinë që pas dy mandatesh PDK të lëshojë rrugë meqë nuk ka as vota për ndërtimin e institucioneve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se koalicioni i tij me Lidhjen Demokratike dhe Nismën për Kosovën i kanë votat për ngritjen e institucioneve dhe presin që Partia Demokratike të shpenzojë mundësitë e saj si partia që doli e para nga zgjedhjet e tetë qershorit. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ai tha se vendit nuk i duhen zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe kryeministri Thaçi pas udhëheqjes së vendit për dy mandate, të pozicionohet qartë duke u liruar rrugë forcave politike që kanë mundësi t’i ndërtojnë institucionet.

Haradinaj mbi ngritjen e institucioneve
please wait

No media source currently available

0:00 0:08:14 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, javën e ardhshme mblidhet parlamenti për të vazhduar seancën e filluar më 17 korrik. Çfarë prisni nga kjo seancë?

Ramush Haradinaj: Është mirë që është caktuar data e vazhdimit të seancës, meqenëse është humbur shumë kohë, nga 17 korriku më 12 shtator, dy muaj janë humbur. Presim me vazhdue me detyrat që ka seanca me e zgjedhë kryetarin dhe me e zgjedhë kryesinë e parlamentit. Me këtë rast gjykata kushtetuese i ka atribuuar të drejtën e kandidaturës PDK-së, ose grupit më të madh të dalë nga zgjedhjet. Ne presim që ata ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Po ashtu e dimë se mos mundësia me e përkrahë me votë do ta sjellë parlamentin në atë që njihet tanimë si pika 126 e vendimit të gjykatës kushtetuese, që është dështimi në zgjedhjen e kryetarit. Nuk do të thotë se shkojmë në zgjedhje dhe po ashtu synojmë të vazhdojmë me pikën e vendimit 127 e cila i obligon deputetët në këtë rast, jo më grupin parlamentar të caktuar apo partinë e caktuar, por deputetët me e gjetë mënyrën me e zgjedhë kryetarin, mënyrë që ne e kemi.

Zëri i Amerikës: A mund ta shpjegoni si? Si e shihni mundësinë brenda kësaj pike të vendimit të gjykatës?

Ramush Haradinaj: Tani, PDK e ka në të drejtën e saj kandidaturën, por nuk i ka votat. Do të thotë është e thjeshtë situata. Ata me siguri do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, por do të vërtetohet se nuk i kanë votat. Është, si me thanë, edhe në vullnetin e tyre që edhe ata me e konstatue pikën 126, pra momentin kur parlamenti dështon me e zgjedhë kryetarin në bazë të kandidaturës së grupit më të madh parlamentar të dalë nga zgjedhjet, në mënyrë që t’i lëshohet rrugë pikës 127 që obligon deputetët me e gjetë mënyrën me e zgjedhë kryetarin. Në këtë rast vijmë në shprehje ne. Pra, ne në momentin e dështimit të PDK-së vijmë me zgjidhjen, pra me kandidaturën e zotit (Isa) Mustafa, meqenëse i kemi edhe votat, kjo është zgjidhja.

Zëri i Amerikës: Por, zoti Haradinaj, nëse dështon Partia Demokratike dhe nuk ka parlamenti nuk ka kryetar dhe nënkryetarë, pra s’ka udhëheqje, kush do të njohë grupin tuaj parlamentar, meqë edhe në vendimin e gjykatës është thënë se ai mund të njihet vetëm kur parlamenti të ketë udhëheqjen e tij?

Ramush Haradinaj: Ka një, si të them, një terren neutral në këtë rast. Pika 126 e vendimit e përmbyllë të drejtën që i ka atribuuar PDK-së. Do të thotë ajo vetvetiu vjen si rrjedhojë në fund të vendimit. Është pika e parafundit dhe pason vetëm 127. Pas dhënies së drejtës, pas njohjes së kësaj të drejte si grup parlamentar, megjithatë është pranuar në vendim, pra është njëfarë rastësie që ka ndodhur, meqë vendimi shihet që është shkruar në atë mënyrë që të gjitha të drejtat me ia atribue PDK-së, në këtë rast grupit më të madh parlamentar të dalë nga zgjedhjet, por prapë se prapë edhe vet gjykata ne vendim ka paraparë pikën 126 që është momenti i dështimit. Dhe pas momentit të dështimit, gjykata më nuk e vazhdon me grupin më të madh parlamentar të dalë nga zgjedhjet, apo me subjektin politik, por u kthehet deputetëve në këtë rast. Pra deputetëve nënkupton të gjithëve. Dhe e drejta nuk është më ekskluzive vetëm e grupit më të madh të dalë nga zgjedhjet, por tani e drejta është e barabartë për të gjithë ne në parlament. Me këtë rast ne e kemi zgjidhjen sepse kemi kandidaturë që i ka votat.

Zëri i Amerikës: Por, përse në këtë rast duke e pasur të drejtën edhe nga gjykata, përse do të duhej që Partia Demokratike të pajtohej kur ajo e ka të drejtën të vazhdojë ta provojë për një kohë të gjatë?

Ramush Haradinaj: Partia Demokratike këtë drejtë që e ka e provon deri në pikën 126. Por, në momentin që i konstatohet dështimi, i përmbyllet kjo e drejtë. Pra, nuk është pakufi kohore dhe të kandidaturave. Ata mund të abuzojnë me këtë të drejtë, ta zëmë të insistojnë edhe në një kandidaturë edhe në një tjetër që nuk e ndryshon epilogun dhe që çdoherë kjo e kthen momentin e dështimit. Nuk besoj që ka luksin Kosova ta tolerojë PDK-në në abuzim të kësaj të drejte. Pra, kandidatura shpjegohet me kandidaturë dhe votë.

Zëri i Amerikës: Deri tash qëndrimet e PDK-së dhe tuajat si bllok janë shumë të kundërta. Nëse vazhdon kjo situatë dhe këto përplasje, a po rrezikon vendi të shkojë drejt një krize më të thellë politike?

Ramush Haradinaj: Vendi është në krizë sepse subjekti politik PDK, duke u thirrë në rezultatin zgjedhor po e mban një të drejtë peng të ndërtimit të institucioneve duke kërkuar ndihmën si në rastin konkret të gjykatës kushtetuese, por duke mos pasur votat në parlament. Në demokracinë tonë parlamentare zgjidhja e kësaj krize, pra kriza është se PDK nuk po i lëshon rrugë krijimit të institucioneve. Në njëfarë mënyrë ne e kemi përdorur një term: e ka zaptuar një të drejtë. E drejta i është atribuuar, por ajo e drejtë vlen në rast se i ke votat. Momentin që nuk i ke votat, vetë vendimi i gjykatës, sado i anshëm që duket, pika 126 e shpjegon dështimin e zgjedhjes dhe pika 127 mënyrën e gjetjes së zgjedhjes. Pra, ne i japim zgjidhje këtij ngërçi politik.

Zëri i Amerikës: A janë të mundshme zgjedhjet e jashtëzakonshme për shkak të ngërçit politik?

Ramush Haradinaj: Nuk parashihen zgjedhjet. Për fat të mirë edhe vendimi i gjykatës kushtetuese nuk e ka paraparë këtë variant të gjetjes së zgjidhjes, por ua ka dhënë mundësinë me e gjetë zgjidhjen deputetëve. Është e pakuptimtë me mbajt zgjedhje dhe të shpenzojmë 10 milion (euro). Po hyjmë në dimër, kemi njerëz pa strehë, kemi familje të varfra, kemi plot probleme në Kosovë, kemi pacientë që presin për shërim ose që duhet çuar jashtë vendit. Pra 10 milion sa kushton një proces zgjedhor, ne kemi ku t’u drejtojmë ato para. Është e pakuptimtë me mbajt zgjedhje, është kryesisht lazdrim politik, sepse nuk janë ndërtuar argumentet për të mbajtur zgjedhje. Sikur të mos kishte farë zgjidhje për të ndërtuar institucionet, atëherë vijnë zgjedhjet si opsion. Por, zgjidhja ekziston. Ne e kemi zgjidhjen. Pra koalicioni LDK-AAK-Nisma dhe partnerët politikë e kemi zgjidhjen, por mjafton ta kuptojë PDK se është e paaftë të ndërtojë institucionet, meqenëse nuk ka votë dhe nuk ka partnerë politik.

Zëri i Amerikës: A ka zgjidhje? Kush do të mund të ndikonte për një dialog të brendshëm politik që do të mund ta lehtësonte këtë situatë?

Ramush Haradinaj: Ne qeverisemi në Kosovë nga qeveria Thaçi në dy mandate. Është një lloj shëndeti i demokracisë ndryshimi pas dy mandateve. Logjika e shëndoshë do të zgjidhte çdo gjë. Na vjen keq për mungesë të kësaj logjike tek zoti Thaçi dhe kolegët e tij. Përkundër faktit që ata vërtetë e fituan numrin më të madh të votave në zgjedhje, ata ishte dashur të reflektojnë vullnetin politik të të gjithë të tjerëve, po ashtu që janë zgjedhur me votë në këto zgjedhje e të cilët e kanë vlerësuar që të mos bashkë qeverisin me PDK-në dhe zotin Thaçi, por të krijojnë institucione dhe t’i japin Kosovës një ndryshim. Pra, pas dy mandateve me i dhënë një ndryshim qeverisës vendit dhe demokracisë së Kosovës, është e shëndetshme. Ne shpresojmë që do të ketë një reflektim të tillë nga zoti Thaçi dhe kolegët e tij. Meqenëse ai e ka udhëhequr vendin për dy mandate edhe i takon të reflektojë si një burrështetas. Pas udhëheqjes së vendit për dy mandate, pas besimit që i ka dhënë populli i vet, tani me respekt ndaj popullit të vet e ndaj demokracisë së brendshme po ashtu, të pozicionohet qartë duke u liruar rrugë forcave politike që kanë mundësi t’i ndërtojnë institucionet.

Zëri i Amerikës: A ka pasur ndonjë përpjekje për të lehtësuar një formë të dialogut qoftë nga diplomacia perëndimore, qoftë nga ta zëmë, presidentja e vendit?

Ramush Haradinaj: Ne kemi situata specifike në Kosovë, sepse vet Kosova ka ardhur këtu me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, jemi përkrahur në shumë etapa. Ka një vullnet të mirë ndërkombëtar, mirëpo ka edhe një respekt që në procese të brendshme të na lejohet neve që të gjejmë zgjidhje, të gjejmë rrugë për të ndërtuar institucionet. Nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje direkt, por ka një shqetësim për ngecjet në ndërtim të institucioneve që është shqetësim i sinqertë realisht. Presidentja, po ashtu në etapa të caktuara ka qenë prezente me veprimet e saj, mirëpo tani gjërat janë thjeshtësuar. Kemi një situatë bukur të thjeshtë: PDK-së sikurse edhe te rasti i mandatarit realisht i është dhënë e drejta të provojë të ndërtojë institucionet, kjo e drejtë është e tyre. Ata e provojnë këtë të drejtë dhe në rast se nuk e realizojnë, kjo e drejtë i kalon spektrit tjetër politik.

Zëri i Amerikës: Kosovën e presin shumë sfida përfshirë edhe bisedimet me Serbinë dhe ngritja e gjykatës së posaçme për krime lufte. Sa i rrezikon ky ngërç këto procese?

Ramush Haradinaj: Janë procese dukshëm më serioze në të cilat Kosova është palë. Në këto procese, parlamenti dhe institucionet e Kosovës në të gjitha etapat kanë dëshmuar se janë shumë serioze. Ne nuk do të lejojmë që Kosova të mungojë në kualitetin e saj, ose si palë në këto tema: edhe në dialogun, në zhvillimet në rajon por edhe në zhvillimet me dhomën e posaçme të gjykatës speciale. Ne nuk do të mungojmë në obligimet tona si Kosovë.

Zëri i Amerikës: Një prej çështjeve të ri aktualizuara kohët e fundit është ajo e përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e Mesme. Sa shqetësuese është kjo dukuri?

Ramush Haradinaj: Ekziston një koncept që ka depërtuar në Kosovë, i një tip “vëllazërie myslimane”, për një shtet që do të jetonte në vlera të “sheriatit”, i cili po zhvillohet sistematikisht në dhjetë vitet e fundit. Unë e kam ngritur zërin me kohë për këtë rrezik. Mendoj se është humbur shumë kohë në këtë drejtim, por është mirë që ka filluar përballja me këtë temë serioze, që është shumë më komplekse sesa vetëm luftëtarët që po shkojnë jashtë vendit. Ata diku po ndërtohen, po frymëzohen, dikush po i nxitë deri në atë shkallë. Kosova duhet ta marrë shumë seriozisht obligimin që ka ndaj qytetarëve të vet, që të mos lejojë që qytetarët e vet në radhë të parë të kthehen në terroristë, të jenë viktimë e terrorizmit, apo që Kosova të bëhet kontribuuese e krizave nëpër botë. Unë angazhohem për një Kosovë si zonë e lirë prej këtyre elementeve, pra prej elementeve kriminale të luftëtarëve të huaj apo të organizatave kriminale që nxisin terror.

XS
SM
MD
LG