Lidhje

Prishtinë:Veprime të dhunshme ndaj kompanive sllovene


Grupe tifozësh hodhën mjete piroteknike në dyert e kompanive sllovene në shenjë pakënaqësie me ndalimin e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj në Slloveni

Autoritetet në Kosovë bënë thirrje për qetësi dhe shmangie te veprimeve të dhunshme, pak kohë pasi që një grup tifozësh hodhën mjete piroteknike para dy kompanive sllovene.

Veprimi ishte shprehje e pakënaqësisë me ndalimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në Slloveni në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Serbia 11 vjet më parë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pas kësaj u bëri thirrje qytetarëve “për qetësi dhe reagim dinjitoz qytetar në shprehje të pakënaqësisë”. Në një reagim të kësaj partie thuhet se “zyrtarët, anëtarët dhe simpatizantët e AAK-së nuk janë pjesë e asnjë provokimi në raport me prezencën sllovene në Kosovë”, ndërsa ftohen institucionet të veprojnë sa më shpejtë në mënyrë institucionale në raport me Republikën e Sllovenisë. “Ndërsa, shprehja e pakënaqësisë së qytetarëve duhet të jetë në mënyrë paqësore dhe të dinjitetshme”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dënoi “aktet e dhunës ndaj pronës së kompanive afariste sllovene duke i vlerësuar të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat e shoqërisë demokratike”.

Në një reagim të zyrës së saj, thuhet se “presidentja Jahjaga thekson se aktet e dhunshme të drejtuara ndaj pronës së kompanive sllovene, pavarësisht nga motivet, janë veprime vandale dhe cenojnë lirinë. Veprimet vandale të drejtuara ndaj pronës pengojnë zhvillimin demokratik të vendit, dëmtojnë imazhin dhe besimin e tij dhe pengojnë gjithashtu edhe bërjen e biznesit në vend. Marrëdhëniet e Kosovës me shtetet e tjera ndërtohen me mirëbesim dhe veprimet e Kosovës gjithnjë do të jenë në mbështetje të akteve, normave dhe ligjeve ndërkombëtare”, thuhet në reagim në të cilin u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të ruajnë qetësinë e maturinë dhe kërkon nga organet e rendit që të kapin autorët e akteve të dhunës dhe t’i nxjerrin përpara drejtësisë.

Veprimet u dënuan edhe nga qeveria e Kosovës e cila nëpërmjet një komunikate “fton qytetarët që të tregojnë maturi dhe të përmbahen nga çdo akt i dhunshëm, duke i siguruar se çështja e zotit Haradinaj është duke u trajtuar në nivelin më të lartë shtetëror dhe së shpejti pritet një zgjidhje e drejtë dhe e ligjshme. Qeveria e Kosovës fton organet e rendit që në përputhje me ligjin të trajtojnë aktet e fundit të manifestuara kundër bizneseve dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e akteve të tilla”.

Ndaj këtyre veprimeve reaguan edhe Odat ekonomike në Kosovë, të cilat thanë se ky është një mesazh i keq për investuesit e jashtëm, aq të nevojshëm për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës.

XS
SM
MD
LG