Lidhje

Parlamenti i Kosovës me rezolutë për Haradinajn


Parlamenti i Kosovës miratoi një Rezolutë lidhur me ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në Slloveni në bazë të një urdhër arresti serb.

Parlamenti i Kosovës me 65 vota për miratoi një Rezolutë me kërkesën për lirimin menjëhershëm të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili një ditë më parë u ndalua në Slloveni në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Serbia.

Në tekstin e Rezolutës së hartuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kërkohet që qeveria dhe presidentja urgjentisht të kërkojnë që Ramush Haradinajt, pa asnjë kusht dhe menjëherë t’i kthehet pasaporta dhe të lejohet kthimi i tij në Kosovë. Nga Brukseli kërkohet pastrimi i fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia, ndërsa institucioneve të Kosovës u kërkohet të dërgojnë notë proteste Sllovenisë.

Rezoluta pasoi një seancë të jashtëzakonshme lidhur me ndalimin e zotit Haradinaj.

Ai është ndaluar të mërkurën në Aeroportin e Lubjanës, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin. Zyrtarë të kësaj partie edhe të enjten po protestojnë para dyerve të ambasadës sllovene në Prishtinë.

Zoti Haradinaj, kishte shprehur mospajtimin me paraqitjen para gjykatësit slloven lidhur me urdhër arrestin serb.

Pafajësinë e kam të dëshmuar ndërkombëtarisht. Nuk kam asgjë me sistemin e drejtësisë sllovene e as ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë zoti Haradinaj, duke kërkuar nga Sllovenia ta pastrojë ”sa më parë sistemin nga reliktet shpifëse të Beogradit, që datojnë që nga viti 2004 dhe ende edhe sot i konsideron si valide. Kjo sjellje nga shteti slloven është e papranueshme dhe shumë ofenduese, si për mua, po ashtu edhe për Kosovën”, citohet të ketë thënë zoti Haradinaj.

Megjithatë ai është paraqitur para gjykatës, e cila ka vendosur që t’ia mbajë pasaportën deri në vendimin tjetër të saj, që pritet të merret të enjten.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka biseduar me telefon me presidentin slloven Borut Pahor duke i kërkuar ndërhyrjen e tij për të lejuar zotin Haradinaj të kthehet në shtëpi. "Presidentja Jahjaga i ka shpjeguar presidentit Pahor se fletarresti ndaj deputetit dhe udhëheqësit partiak Haradinaj është i njëanshëm, politik dhe i pabazë”, thanë në zyrën e saj.

Qeveria e Kosovës, u shpreh e shqetësuar me faktin se siç thuhet, “urdhër arrestet e tilla edhe më tutje trajtohen si valide në vende të caktuara, përkundër faktit se lidhur me këto pretendime, zoti Haradinaj pafajësinë e tij e ka dëshmuar në instancat më larta të drejtësisë ndërkombëtare. Qeveria e konsideron se nuk ka asnjë arsye që zoti Haradinaj edhe më tutje të përballet me situata të tilla dhe apelon te autoritetet sllovene që sa më parë të mundësojnë që zoti Haradinaj të kthehet në Kosovë”. Kryeministri Isa Mustafa tha se ka biseduar me kryeministrin slloven Miro Cerar për këtë çështje.

Përfaqësues të Kosovës kanë shprehur shqetësimin se kjo situatë mund të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

Zyrtarët në Kosovë thonë ndërkaq se Serbia nuk ka më juridiksion mbi Kosovën dhe rrjedhimisht të gjitha fletarrestimet e lëshuara prej saj janë të pavlefshme. Autoritetet në Kosovë, tash për tash nuk e dinë se sa fletarrestime të tilla janë ngritur kundër qytetarëve të vendit.

Në vjeshtën e vitit 2012, ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte. Gjykata ndërkombëtarë në Hagë shpalli atëbotë të pafajshëm edhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj.

Ai qe shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, por u nxor sërish në gjykatën e Hagës për krime lufte për një rigjykim të pjesshëm bashkë me dy ish bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj. Të tre akuzoheshin për vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës.

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t'u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj për krime lufte. Akuzat lidheshin me veprimtarinë e zotit Haradinaj gjatë luftës kur ai ishte një nga komandantet e lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij dhe Idriz Balajt. I pandehuri tjetër Lahi Brahimaj, u dënua me gjashtë vjet heqje lirie nën akuzat, për siç thuhej, trajtim mizor dhe torturë.

Zoti Haradinaj u rikthye në rigjykim në korrik të vitit 2010. Vendimi për rigjykim të pjesshëm ishte i pari i këtij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG