Lidhje

Haradinaj – i lirë të kthehet në Kosovë


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ishte ndaluar të mërkurën nga autoritetet sllovene në bazë të një fletarrestimit serb.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është lënë i lirë të kthehet në shtëpi nga autoritetet sllovene, të cilat e ndaluan atë të mërkurën në bazë të një fletarrestimi të lëshuar 11 vjet më parë nga Beogradi.

Haradinaj do kthehet në Prishtinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:34 0:00

Ndalimi që ndodhi derisa ai po kthehej nga një vizitë në Berlin, nxiti shumë reagime në Kosovë. Presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa biseduan me homologët e tyre slloven, ndërsa parlamenti miratoi Rezolutë të posaçme me kërkesën për lirimin e zotit Haradinaj.

Për dy ditë me radhë janë mbajtur edhe protesta para ambasadës sllovene në Prishtinë.

Zoti Haradinaj dy herë është shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte në dy procese gjyqësore në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, së pari në vitin 2008 dhe pastaj sërish në vitin 2012. Është ende e paqartë se përse është ndaluar në Lubjanë në bazë të një fletarrestimi të lëshuar para 11 vjetësh, ndërsa ka udhëtuar shpesh në Evropë.

Eliot Engel: Serbia t’i jap fund “ndjekjes së shtrigave”

Duke ju bashkuar thirrjeve për lirimin e zoti Haradinaj, ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, tha se Ramush Haradinaj duhet të jetë i lirë nga shqetësime të tilla. “Derisa shpresoj se ky ka qenë një veprim i gabueshëm, mendoj se Qeveria e Sllovenisë dhe sistemi gjyqësor mund ta korrigjojnë atë duke e lejuar ish-kryeministrin Haradinaj që të kthehet në shtëpi në Kosovë”, thuhej në një deklaratë me shkrim. “Por, për të siguruar që gabimet e tilla nuk do të përsëriten, Beogradi duhet të tërheqë ‘Kartat e Kuqe’ nga Interpoli, të cilat edhe shkaktojnë problemin. Veprimet e Serbisë janë në kundërshtim me synimet e bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Nëse Serbia vërtet dëshiron të tregojë se është e gatshme që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, ajo duhet t’i japë fund kësaj gjuetie shtrigash”, ka theksuar zoti Engel.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, që të mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

XS
SM
MD
LG