Lidhje

AAK: Daut Haradinaj nuk ka kërcënuar askënd


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha të hënën në mbrëmje se deputeti i saj Daut Haradinaj, nuk ka bërë asnjëherë thirrje për spastrim etnik, por ka ngritur alarmin për provokimet e Serbisë ndaj Kosovës.

Këto komente pasuan reagimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë ndaj një interviste të zotit Haradinaj lidhur me kërkesën e Serbisë për ekstradimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj që po mbahet ne Francë që nga 4 janari në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Beogradi.

Duke komentuar mundësinë e ekstradimit, deputeti Daut Haradinaj citohet të ketë thënë në një emision televiziv në RTV Dukagjini që "në rast se gabojnë dhe bëjnë kësi veprime, atëherë të bëhen gati për tema më serioze. Nëse e duan Kosovën etnikisht pa serbë, atëherë le të bëjnë hajgare”.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin, në një komunikatë të lëshuar të hënën tha se "deklarata e kësaj fundjave e një deputeti të parlamentit të Kosovës që përdori gjuhën e urrejtjes duke kërcënuar me spastrim etnik, është e papranueshme dhe shkakton shqetësime serioze". Ai u ka bërë thirrje siç thuhet "të gjithë udhëheqësve të përgjegjshëm që rë dënojnë këtë deklaratë dhe autoritetet e drejtësisë të hetojnë dhe të marrin veprime në pajtim me ligjet e Kosovës".

Edhe zyra e Bashkimit Evropian, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, tha se "dënon deklaratat kërcënuese ndaj komuniteteve dhe etnive të tjera. Ato nxisin gjuhën e urrejtjes te pakicat, pengojnë pajtimin si dhe dialogun”.

Më herët gjatë fundjavës, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, kishte shkruar në twitter se "kjo është një gjuhë e rrezikshme dhe nuk ka vend në Evropë”.

Të hënën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi në rrjetet sociale se "për institucionet dhe popullin e Kosovës, deklaratat kërcënuese ndaj etnive të tjera joshqiptare, nxisin mllef, urrejtje dhe hakmarrje, duke na kthyer në të kaluarën e hidhur. Për më tepër, bllokojnë dialogun për normalizim të marrëdhënieve, vënë në pikëpyetje pajtimin e domosdoshëm dhe perspektiven e Kosovës evropiane dhe shumetnike. Nuk kemi lejuar një gjë të tillë as gjatë luftës dhe nuk do të lejojmë që të ndodhë as tani, sepse askush nuk e dëshiron".

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nëpërmjet një komunikate sqaroi se "deklarata e deputetit Daut Haradinaj është nxjerrë nga konteksti dhe nuk ka qenë thirrje për spastrim etnik, siç e kanë paraqitur disa media, por ngritje e alarmit për provokimet e Serbisë ndaj Kosovës, edhe përmes rastit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, të cilat do të mund të kishin pasoja të rënda për të gjithë!"

Për të gjithë ata që nuk e dinë, thuhet në komunikatë, "ju kujtojmë së Ramush Haradinaj e ka mbrojtur popullatën civile e fëmijët në Kosovë. Ramush Haradinaj i ka mbrojtur kishat serbe në Kosovë. E ka mbrojtur popullatën serbe dhe në kohë paqe, ka krijuar programe për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. I pari ka dal hapur kundër ekstremizmit fetar. Dhe pikërisht tani, disa njerëz e disa qarqe, brenda dhe jashtë Kosovës, po duan që duke e izoluar Ramush Haradinajn ta provokojnë një situatë tjetër të rrezikshme në Kosovë!"

Në komunikatë thuhet se "AAK dhe deputetët e saj, pa përjashtim, janë të përcaktuar për shtet ligjor e të drejtë, ku të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, të kenë të drejta të barabarta. Por në asnjë rrethanë dhe asnjëherë, nuk do te pajtohemi me provokimet që po na i bënë Serbia, edhe përmes rastit të Ramush Haradinajt. Sot është koha e fundit që t'u thuhet stop këtyre provokimeve, për çka ne llogarisim seriozisht edhe në ndihmën e partnerëve tanë. Boshti i problemit nuk janë deklaratat e politikanëve në Kosovë, por veprimet konkrete të Serbisë, brenda dhe jashtë territorit të Kosovës", thuhet në njoftimin e Aleancës pëe Ardhmërinë e Kosovës.

Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb. Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi zotin Haradinaj me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës për ekstradimin e tij në Serbi. Në seancën e fundit u caktua 27 prilli si datë për vendimin e mundshëm për të.

Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë, kërkesa që kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të Beogradit.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

Ndalimi i tij në bazë të urdhër arrestit serb nxiti shumë reagime në Kosovë ku parlamenti miratoi edhe një rezolutë për pezullimin e bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e tij

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG