Lidhje

Kosovë: BIK reagon ndaj presidentes Jahjaga


Bashkësia Islame e Kosovës kundërshton deklaratat e presidentes Jahjaga kundër bartjes së shamisë së kokës nga nxënëset e shkollave publike

Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga kundër bartjes së shamisë së kokës nga nxënëset e shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës. Në një intervistë për KTV-në në Prishtinë, ajo tha se “nuk do të lejohet bartja e shamisë në shkolla dhe se Kosova është shtet laik”.

Bashkësia Islame në reagimin e saj thekson se ky qëndrim është “i habitshëm, i papranueshëm, i papërgjegjshëm dhe kundërkushtetues”.

Në reagim thuhet se “përkufizimi i Kosovës si shtet laik a shekullar ka të bëjë me marrëdhënien e shtetit me bashkësitë fetare, por kjo në asnjë mënyrë nuk i jep të drejtë as Ministrisë së Arsimit, as drejtorive komunale, e as drejtorive të shkollave të vendit që t'ua mohojnë të drejtën e arsimimit nxënëseve tanë në shkollat publike, sepse e drejta e arsimimit është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës për të gjithë qytetarët e vendit”.

Çështja e bartjes së shamisë në shkollat publike të Kosovës ka nxitur debate e protesta pas një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të pranverës së vitit 2010, me të cilin ndalohet bartja e uniformave fetare në institucionet arsimore.

Ministria e arsimit kishte vlerësuar atëbotë se vendimi është në pajtim më Kushtetutën e vendit e cila e përcakton Kosovën si shtet laik dhe të paanshëm në çështje të besimeve fetare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG