Lidhje

Hoxhaj: në tetor pritet ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi

  • Arben Xhixho

Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se në javët e para të muajit tetor mund të pritet ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Ai tha se çështja e kufirit nuk është një çështje e hapur mes Malit të Zi dhe Kosovës si dy vende sovrane, por më shumë një çështje e brendshme në mes të pikëpamjeve të ndryshme që kanë partitë në opozitë dhe partitë të cilat e udhëheqin qeverinë. Në intervistën me shefin e shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho, ai tha se Serbia duhet të zbatojë disa marrëveshje para se të fillojë zbatimi i marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Gabim i serverit

Oops, as you can see, this is not what we wanted to show you! This URL has been sent to our support web team to the can look into it immediately. Our apologies.

Please use Search above to see if you can find it elsewhere

Zëri i Amerikës: Procesi i njohjeve të Kosovës duket sikur ka ngecur dhe nuk po ecën me ritmin e mëparshëm? Cilat janë arsyet sipas jush?

Enver Hoxhaj: Mendoj që arsyet janë të shumta, por qëllimi i pjesëmarrjes sonë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme ka të bëjë me atë se si ne gradualisht ta integrojmë Kosovën në sistemin ndërkombëtar, ta bëjmë anëtare të OKB-së, siç thatë edhe ju, dhe kjo mund të arrihet përmes rritjes së numrit të njohjeve por edhe përmes anëtarësimit gradual në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Unë mendoj që një pjesë të madhe të shteteve ne kemi arritur që t'i bindim që ta njohin Kosovën, meqë Kosova deri më tash është njohur nga 112 vende, por gjatë këtyre ditëve në takimet që kryeministri Mustafa dhe unë kemi pasur me shumë vende jo njohëse, kemi marrë zotime që disa nga to do të marrin vendim pozitiv dhe do ta njohin Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur, kështu që presim që do të ketë lajme të mira.

Zëri i Amerikës: Zoti Hoxhaj, suksesi në politikën e jashtme, pra atë që sapo folët ju, varet shumë edhe nga zhvillimet e brendshme dhe një nga çështjet më të debatueshme në vendin tuaj ka qenë përcaktimi i kufirit me Malin e Zi. Kur bisedoni ju me homologët tuaj, që u kërkoni atyre njohje, si do të kërkonit njohje nga vendi i tyre kur Kosova vetë nuk ka arritur të ratifikojë kufijtë e saj në njëfarë mënyre. Çfarë zgjidhje do të marrë çështja e kufirit me Malin e Zi?

Enver Hoxhaj: Padyshim që politika e jashtme është një fenomen i cili nuk ndodh vetëm jashtë vendit, por ndodh edhe brenda vendit, meqë qëllimet e politikës së jashtme përcaktohen në kontekstin vendor, dhe natyrisht që konteksti vendor luan një rol edhe në sjelljen e jashtme të një shteti, qoftë ai shtet i vogël si Kosova dhe i ri apo shtet me traditë të gjatë të diplomacisë. Padyshim që mungesa e ratifikimit të marrëveshjes për demarkim të kufirit me Malin e Zi, nuk është diçka që e mbështet delegacionin tonë gjatë punës tonë në New York, meqë është ngritur herë pas here në takimet që kemi pasur deri më tash, por unë besoj që gjatë dy javëve të para të tetorit, Kuvendi i Kosovës, partnerët e koalicionit, do të jenë në gjendje që ta ratifikojnë këtë marrëveshje, meqë kjo marrëveshje nuk është një çështje e hapur mes Malit të Zi dhe Kosovës si dy vende sovrane, por më shumë është një çështje e brendshme në mes të pikëpamjeve të ndryshme që kanë partitë në opozitë dhe partitë të cilat e udhëheqin qeverinë. Ne e dimë që me këtë marrëveshje Kosova nuk humb territor dhe kjo marrëveshje është e rëndësishme pikërisht në atë se çfarë kemi bërë në këto 8 vitet e fundit në kompletimin e sovranitetit, meqë demarkimi i marrëveshjes do të regjistrohej në të ardhmen edhe në sekretariatin e OKB-së si një kufi ndërkombëtar i njohur në mes të dy vendeve, përveç asaj që është kushti i fundit dhe madhor në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Do të ndalemi pak më vonë te vizat por doja të të pyesja për një tjetër çështje në Kosovë po aq të rëndësishme, po aq polemike sa edhe çështja e kufirit, e kam fjalën për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Vitin e kaluar u arrit marrëveshja për këtë qëllim, por ku është procesi i zbatimit të saj? A ka filluar zbatimi i saj dhe kur pretendohet të fillojë?

Enver Hoxhaj: Qasja jonë ka qenë që të gjitha marrëveshjet të cilat janë arritur në Bruksel do të duhej edhe të zbatohen, përkundër progresit që dialogu ka sjellë në raportet bilaterale Kosovë-Serbi, përkundër faktit që ka kontribuar që të normalizohet situata në veri të vendit dhe qëllimi kryesor ka qenë ta normalizojmë situatën në veri të vendit, e së dyti, t'i normalizojmë raportet bilaterale Kosovë-Serbi dhe ta shtyjmë agjendën evropiane të Kosovës, pra kanë qenë tri qëllimet kryesore të këtij dialogu. Përkundër këtij progresi, ka edhe ngecje në zbatimin e marrëveshjeve dhe qëndrimi jonë është që përderisa Serbia nuk e zbaton marrëveshjen në fushën e energjetikës, që Kosova të ketë një sistem të pavarur energjetik, ku për shkak të kësaj mosmarrëveshje të pazbatuar ne humbim çdo vit pothuajse 20-30 milionë euro dhe po ashtu bashkëpunimin që do të duhej ta kishim me Shqipërinë në fushën e energjetikës nuk mund të jetë funksional për shkak të moszbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe për pa u arritë marrëveshja sa i takon kodit shtetëror ndërkombëtar telefonik, ne nuk do të lëvizim që të themelohet shumë shpejt Asociacioni i komunave. Por, përtej kësaj, ka progres edhe sa i takon Asociacionit të komunave, meqë presim që në një të ardhme të afërt, ekipi i cili është caktuar, të fillojë me hartimin e statutit dhe natyrisht që gjatë vitit 2017 do të ketë një dinamikë tjetër. Fokusi jonë kryesor se si gjatë këtij viti në fushën e energjetikës dhe kodit shtetëror telefonik të kemi progres të matshëm.

Zëri i Amerikës: Zoti Hoxhaj do të ndalemi tek ajo që ju sapo përmendët pak përpara, çështjen e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës për të lëvizur në Evropë. Klasa politike i ngriti shpresat se këtë vit qytetarët nuk do të kishin më nevojë për viza, por veç marrëveshjes me Malin e Zi duket se ka edhe kushte të tjera, dy ndër më kryesoret janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ku po ngec qeveria e Kosovës në këtë drejtim?

Enver Hoxhaj: Kosova në krahasim me çdo vend tjetër të rajonit ka qenë e detyruar, e shtrënguar në këto tri vitet e fundit të plotësojë një numër të paprecedent të kritereve, përderisa vendet e rajonit kanë pasur 45 kritere në procesin e liberalizmit të vizave, kjo vlen qoftë për Shqipërinë qoftë për Maqedoninë, qoftë për Serbinë, për Malin e Zi apo për Bosnjën, Kosova ka pasur një dyfish, kanë qenë 110 kritere. Ne kemi arritur që nga 110 kritere t'i plotësojmë të gjitha me përjashtim të ratifikimit të marrëveshjes së demarkimit të kufirit me Malin e Zi dhe siç thoni edhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Çfarë mund të them unë është që prokuroria e Kosovës, sistemi gjyqësor në Kosovë, gjykatat në Kosovë, janë marrë intensivisht gjatë këtij viti me një punë marramendëse, që të hetojnë, të përballojnë raste konkrete, njerëz të cilët kanë qenë të involvuar në korrupsion dhe në krim të organizuar dhe në takimet që kisha javën e kaluar me zonjën Mogherini, me zotin Avramopulos dhe me zotin Johanes Hahn, të tre përfaqësues më të lartë të Bashkimit Evropian, ata e njohin progresin që ka bërë Kosova në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por, çështja e fundit ka mbetur ratifikimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi. Nëse ky kusht i fundit plotësohet, unë besoj që qytetarët e Kosovës në fund të vitit do të kenë një vendim pozitiv që të lëvizin pa viza drejt Evropës. Përtej kësaj ne në Bashkimin Evropian kemi një situatë, një kontest të brendshëm shumë kompleks, meqë kemi një rikthim të lëvizjeve dhe partive populiste meqë vitin e ardhshëm mbahen zgjedhjet në Francë, zgjedhjet në Gjermani, zgjedhjet në Holandë, kështu që këta janë dy tre muajt e fundit kritik ku elita politike në Kosovë duhet me çdo çmim, çdo formë t'i përmbush kriteret me qëllim që qytetarët e Kosovës ta gëzojnë të drejtën e tyre, të lëvizin pa viza drejt Evropës. Këto dhjetë vitet e fundit ne kemi qenë një ishull i izoluar ku njerëzit nuk kanë mundur ta gëzojnë të drejtën e mobilitetit sikur që e gëzojnë fqinjët tanë në rajon.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG