Lidhje

Dënohet sulmi ndaj veprimtares së lëvizjes Vetëvendosje

  • Leonat Shehu

Veprimtarja, Nazlie Bala, është sulmuar fizikisht të mërkurën në mbrëmje, pas angazhimit të saj në mbrojtje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

Autoritetet në Kosovë dënuan sot ashpër sulmin fizik ndaj kryetares së Sekretariatit të Gruas në Lëvizjen Vetëvendosje, Nazlie Bala. Sulmi ndodhi të mërkurën në hyrje të banesës së saj në Prishtinë. Në një komunikatë për opinion të lëvizjes Vetëvendosje thuhet se ajo është sulmuar fizikisht dhe është kërcënuar me vrasje.

Sulmi ndodhi pas ditë pasi që ndaj saj ishte bërë një porosi kërcënuese me tekstin “mos e mbrojë turpin, se të pret plumbi". Porosia, ishte vënë në derën e banesës së zonjës Bala, pak ditë pas paraqitjes së saj publike në mbrojtje të ndryshimeve të ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.



Zyra e Presidentes së Kosovës e dënoi sot fuqishëm sulmin fizik ndaj veprimtares Nazlie Bala. Në reagim thuhet se “sulmi fizik ndaj zonjës Bala është një akt qyqar, është goditje ndaj vlerave të shoqërisë sonë, që mëton të jetë demokratike dhe tolerante, dhe është edhe sulm ndaj asaj pjese të shoqërisë të cilës i nevojitet përkrahja e të gjithë neve. Dhuna fizike ndaj një aktivisteje është një vepër e patolerueshme dhe e papranueshme që kthen prapa zhvillimin demokratik të vendit dhe përpiqet ta përulë gjysmën e popullatës së Kosovës. Aktet e këtilla barbare nuk mund të mbesin të pandëshkuara”, thuhet mes tjerash në reagimin e presidentes Jahjaga.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dënon ashpër sulmin ndaj veprimtares Bala. “Ky akt qyqar është i papranueshëm dhe i dënueshëm nga ana e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës dhe është në dëm të demokracisë së vendit tonë”, thuhet në reagimin e kryeministrit Thaçi i cili kërkon veprimin e shpejtë dhe të vendosur të organeve përgjegjëse, për kapjen dhe dënimin e autorëve të këtij sulmi.

Kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi, theksoi se sulmi “është një akt i papranueshëm dhe i dënueshëm, një akt i cili është në kundërshtim me vlerat tona demokratike”.

Sulmi u dënua edhe nga ambasada amerikane në Prishtinë. Në një deklaratë për opinion thuhet se kjo ambasadë “dënon ndërhyrjet, kërcënimet dhe dhunën ndaj qytetarëve dhe gazetarëve që ushtrojnë të drejtën e tyre për shprehje të lirë dhe ndaj atyre që së voni debatuan amandamentet e propozuara në Kuvendin e Kosovës. Debati i hapur dhe publik është pjesë përbërëse e një demokracie të qëndrueshme që mbron të drejtat e gjithë qytetarëve pa marrë parasysh gjininë, besimin, orientimin seksual, apo përkatësinë etnike. Çdo shtet ka për detyrim të identifikojë mbështetje të përshtatshme për ata që kanë vuajtur si rezultat i luftës, përfshirë mbijetuesit e përdhunimit. Debati i hapur dhe i drejtë në Kuvend dhe shoqëri është për Kosovën rruga demokratike e përcaktimit të mënyrës më të mirë për t’u shërbyer qytetarëve të saj. Ne mirëpresim deklaratat e zyrtarëve nga qeveria e Kosovës që dënuan sulmin kundër zonjës Nazlie Bala dhe i përsërisim thirrjet e tyre për një hetim të menjëhershëm dhe ndjekje të autorëve të sulmit”.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian Samuel Zhbogar, nëpërmjet një komunikate kujton se ishte shprehur i shqetësuar me rastin e fundit të kërcënimit me vdekje ndaj veprimtares për të drejta të njeriut, Nazlie Bala.

Ne kemi theksuar qartë se klima e gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimet me vdekje nuk i përkasin një shoqërie kosovare e cila është zotuar qartë për vlera evropiane. Ato kërcënime që tashmë janë shndërruar në veprim të dhunshëm ndaj zonjës Bala duhet të dënohen ashpër dhe autorët e kësaj dhune duhet të sillen para drejtësisë. Ne e kemi përcjellë nga afër debatin për amendamentimin e ligjit për viktimat e luftës, gjatë së cilit zonja Bala me shumë guxim ka luftuar për të drejtat e grave të dhunuara. Ne rekomandojmë fuqishëm që të gjithë pjesëmarrësit në këtë debat publik të jenë të kujdesshëm rreth kësaj çështjeje të ndjeshme dhe të mos krijojnë një atmosferë të gjuhës së urrejtjes. Të thuhet se “Kosova nuk mund ta përballojë koston e këtij ligji”, ashtu siç është dëgjuar së fundi në Kuvend, nuk është mënyra e duhur për adresimin e kësaj çështjeje. Të drejtat themelore të njeriut dhe mbrojtja e tyre në shoqërinë evropiane nuk kanë çmim dhe nuk duhet të trajtohen si një çështje e pazarllëkut të brendshëm politik ose popullizmit”, thuhet në komunikatë.

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës dënon ashpër sulmin duke bërë thirrje për hetime dhe mbrojtje të menjëhershme nga të zonjës Bala nga policia e Kosovës. Në reagimin e këtij rrjeti thuhet se “sulmi ndaj Nazlie Balës, aktiviste për të drejtat e grave, nuk është vetëm sulm ndaj saj, por sulm ndaj përpjekjeve tona për të mbrojtur dinjitetin e grave të mbijetuara të përdhunuara gjatë luftës. Ne duam të informojmë sulmuesit se kërcënime të tilla me anë të dhunës nuk do të ndalin përpjekjet tona për të vënë drejtësinë në vend, dhe për të rikthyer dinjitetit e grave të mbijetuara të dhunës gjatë luftës”.

Lëvizja Vetëvendosje theksoi sot se e mban përgjegjës kryeministrin Thaçi dhe Partinë Demokratike të Kosovës për këtë ngjarje.

Ndërkaq, përfaqësues të Partisë Demokratike u distancuan nga veprimet e dhunshme duke bërë thirrje për ndriçimin sa më të shpejtë të këtij incidenti.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG