Lidhje

HRW: Kosova me pak përparime


Human Rights Watch, thotë në raportin e fundit se Kosova nuk ka shënuar ndonjë përparim në mbrojtjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2012

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, vlerëson në raportin e saj të fundit se Kosova nuk ka shënuar ndonjë përparim të dukshëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2012.

Vlerësimi është pjesë e një raporti prej mbi 650 faqesh në të cilin analizohet gjendja e të drejtave të njeriut në mbi 90 vende të botës.

Në pjesën për Kosovën, raporti vë në pah tensionet në qytetin verior të Mitrovicës, gjendjen e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian, sistemin gjyqësor dhe gjendjen e medieve.

Në raport thuhet mes tjerash se komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian, përballen me diskriminim, qoftë në çështjet e strehimit, arsimimit dhe qasjes në shërbimet publike.

Raporti ju referohet të dhënave të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit tre të katërtat e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve janë të papunë, shumë syresh janë të zhvendosur dhe nuk kanë mundësi të kthehen në shtëpitë e tyre.

Raporti thekson tensionet ndërmjet komunitetit serb dhe atij shqiptar, posaçërisht në qytetin e ndarë të Mitrovicës, në veri të Kosovës. Aty radhiten disa nga incidentet në veri por edhe në pjesët tjera të Kosovës. Në raport thuhet se policia e Kosovës ka regjistruar vetëm 16 incidente ndëretnike gjatë tetë muajve të parë të viti 2012, që paraqet rënie në krahasim me vitin 2011, kur janë shënuar 60 incidente me motive ndëretnike. Raporti tërheq vëmendjen tek shqetësimet e vëzhguesve ndërkombëtarë se shumë incidente ndëretnike nuk raportohen dhe nuk regjistrohen.

Human Rights Watch, thekson po ashtu numrin e vogël të personave të zhvendosur që janë kthyer në Kosovë si dhe vështirësitë në integrimin e personave të kthyer dhunshëm nga vendet e Evropës perëndimore.

Duke analizuar qasjen ne drejtësi, raporti përmend lirimin nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish-Jugosllavisë të ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij, pas rigjykimit për krime kundër njerëzimit.

Ekipi i posaçëm i Misionit të BE-së për sundimin e ligjit, thuhet në raport, ka vazhduar hetimet e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë zyrtarë të lartë të Kosovës, të dyshuar për përfshirje në rrëmbimet e pasluftës, zhdukjen, vrasjen e serbëve dhe trafikimin e organeve njerëzore.

Në nëntë muajt e parë të vitit 2012, gjykatësit e EULEX-it kanë përmbyllur tri gjykime për krime lufte, ndërsa, në të njëjtën kohë gjykatësit vendas kanë shqiptuar 20 dënime të tjera. Në muajin nëntor, Gjykata e lartë e e Kosovës urdhëroi rigjykimin e Fatmir Limajt dhe tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së nën akuzat për krime lufte.

Raporti vë në pah edhe siç thuhet, kërcënimet ndaj gazetarëve që kanë vazhduar të jenë problem serioz si dhe qasjen e autoritete ndaj medieve në Kosovë.
XS
SM
MD
LG