Lidhje

Hapet fushata kundër trafikut të qenieve njerëzore

  • Leonat Shehu

Gjate këtij viti, janë shpëtuar dhjetëra viktima të trafikut, në mesin e të cilave kishte edhe të moshës 14 vjeçare.

Në Kosovë, që nga janari e deri në muajin gusht të këtij viti, autoritetet e policisë thanë se kanë zbuluar dhe shpëtuar 56 viktima të trafikut të qenieve njerëzore, në mesin e të cilave edhe të moshës jomadhore. Këto të dhëna u bënë publike me rastin e fillimit të muajit të luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore, me moton “Hapi sytë – ke kujdes”, në përpjekje për shtimin e ndërgjegjësimit për luftën kundër kësaj dukurie.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se trajtimi i kësaj dukurie kërkon qasje të veçantë për shkak të natyrës së ashpër dhe të ndërlikuar të saj. “Megjithëse, pas vitit 1999, Kosova ka shënuar një progres të dukshëm në drejtim të forcimit të rendit, sigurisë dhe reformimit institucional, trafikimi me qeniet njerëzore ekziston si një nga format e veçanta të krimit të organizuar, me pasoja dhe rrezikshmëri të lartë për shoqërinë dhe shtetin e Republikës së Kosovës dhe rajonit. Adresimi dhe trajtimi i trafikimit me qenie njerëzore, për shkak të natyrës së saj komplekse kërkon një vëmendje dhe qasje të veçantë. Qeveria e Republikës së Kosovës ka hartuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit ku kemi paraqitur edhe sukseset por edhe sfidat me të cilat shteti ynë duhet të ballafaqohet. Ne jemi të njohur me ashpërsinë e fenomenit të trafikimit njerëzor që vendi ynë po përballet dhe i kemi kushtuar vëmendje të veçantë se ku Qeveria e Kosovës dhe aktorët tjerë duhet të përqendrohen në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore”, tha kryeministri Thaçi.



Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson, duke ju referuar raportit të Departamentit amerikan të shtetit mbi këtë dukuri, tha se Kosova po bënë përpjekje por ende të pamjaftueshme për të luftuar këtë formë të krimit.

Raporti i Departamentit të Shtetit për vitin 2012 vë në pah ndjekjen penale si dobësi në përpjekjet e Kosovës kundër trafikut me qenie njerëzore. Ne e nxisim fuqishëm punën që po bënë Kosova për të zvogëluar numrin e dosjeve të mbetura dhe përmirësimin e aftësive në ndjekjen penale të krimeve të ndërlikuara”, tha ajo.

Ndërsa përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar, tha se njohja e përmasave të kësaj forme të krimit është mundësi për luftën kundër tij.

Vlerësimet e fundit dëshmojnë se Kosova është jo vetëm vendi i origjinës dhe vend kalimtar por, është edhe destinacion i trafikimit, ku shumica e viktimave janë vendase. Kjo ishte pjesë edhe e Raportit të Progresit të vitit të kaluar. As fëmijët nuk janë të anashkaluar nga këto të dhëna”, tha zoti Zbogar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se përmasat e kësaj dukurie dëshmohen edhe nëpërmjet operacioneve të drejtorisë së posaçme të policisë për luftë kundër trafikut të qenieve njerëzore.

Kjo drejtori vetëm në periudhën janar - gusht të vitit 2012 ka realizuar 610 veprime operative hetimore. Si rezultat i këtyre operacioneve, janë arrestuar 167 persona, janë kontrolluar 283 lokale prej tyre 28 janë mbyllur dhe janë identifikuar 56 viktima. Fatkeqësisht prej tyre nëntë janë të grupmoshës së re 14 deri në 17 vjeç”, tha ministri Rexhepi.

Raportet ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të departamentit amerikan të shtetit flasin për shumë forma të egra të shfrytëzimit të viktimave të trafikut, qoftë për lypësi e punë të detyruar por edhe ndjekje të rrugëve vështirë të luftueshme të këtij krimi.
XS
SM
MD
LG