Lidhje

Hungaria me ligje të veçanta për migruesit e paligjshëm


Autoritetet hungareze po paralajmërojnë ligje të veçanta për të penguar valën e migrimeve, kryesisht nga Kosova

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, tha të premten se vendi i tij po planifikon të miratojë një ligj që mundëson zgjatjet e paraburgimit apo dëbimin e shpejtë të migruesve të paligjshëm, për të shmangur mundësinë që të shndërrohet në një “kamp” të migruesve ekonomik.

Hungaria po përjeton një valë hyrjesh të paligjshme nga jugu i saj, kryesisht nga Kosova e varfër, që ishte burim i 10 mijë kërkesave për strehim vetëm gjatë muajit janar.

Shumica e tyre paraqesin kërkesën për strehim për të shmangur dëbimin e menjëhershëm dhe sigurojnë lirimin. Derisa kërkesat janë në proces të shqyrtimit, ata ikin në shtetet tjera të zonës pa kufij të Shëngenit.

Kryeministri Orban i tha radios publike Kossuth, se Austria dhe Gjermania, ku shkon numri më i madh i migruesve, do të forcojnë ligjet e veta brenda muajsh dhe migruesit do të mbeten atëherë në Hungari.

Agjencia e lajmeve Reuters e citon atë të ketë thënë që nëse Hungaria nuk do të ketë ligje që mundësojnë arrestimin e menjëhershëm të tyre dhe dëbimin, atëherë “Hungaria do të shndërrohet në kamp të migruesve ekonomik”.

Antal Rogan, udhëheqës i grupit parlamentar të partisë së kryeministrit Orban, kishte hedhur më herët idenë e mbajtjes në burg të strehimkërkuesve deri në shqyrtimin e kërkesës së tyre dhe dëbimin e menjëhershëm të të refuzuarve.

Pothuajse të gjithë konsiderohen migrues ekonomik që nuk kanë të drejtë në strehim. Gjatë vitit të kaluar Gjermania refuzoi 99 për qind të kërkesave për strehim të qytetarëve të Kosovës.

Gjermania ka dërguar njëzet oficerë policie në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, për të ndihmuar në kontrollin e kufirit që shfrytëzohet nga migruesit nga Kosova.

Migruesit nga Kosova po shfrytëzojnë territorin e Serbisë dhe lëvizjen e lirë për të kaluar në vendet e Bashkimit Evropian.

Me mijëra persona e kanë lëshuar Kosovën gjatë muajve të fundit dhe lëvizjet e tilla për shumëkënd janë shenjë e pakënaqësive në rritje me udhëheqjen politike të shtetit më të ri e më të varfër të Evropës.

Autoritetet në Kosovë po u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin migrimin e paligjshëm duke u zotuar për hapa që do të përmirësojnë gjendjen në vend.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha të premten se pjesë e angazhimeve të qeverisë së tij është shmangia e “faktorëve shtytës të cilët ndikojnë në migrimin e qytetarëve. Migrimi i paligjshëm është realitet i dhimbshëm dhe në këtë drejtim kemi marrë masa të shpejta. Do të punojmë për hapjen e vendeve të punës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Javën që vjen do ta aprovojmë programin qeverisës”, tha kryeministri Mustafa, duke nënvizuar se “njerëzit që po ikin do të kthehen sepse asnjë vend i BE-se nuk ofron strehim për qytetarët e Kosovës sepse Kosova konsiderohet vend i sigurt”.

XS
SM
MD
LG