Lidhje

Kërkohet përshpejtimi i ndriçimit të fatit të personave të zhdukur


Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq, paralajmëron në pranverë rifillimin e kërkimeve për trupat e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, paralajmëroi se në pranverë do të rifillojnë kërkimet për trupat e personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës në një varrezë të dyshuar në qytetin e Rashkës në jugperëndim të Serbisë, jo fort larg kufirit me Kosovën.

Në dhjetor të vitit të kaluar ekspertët vendas dhe evropian të mjekësisë ligjore, thanë se janë gjetur rroba dhe eshtra të viktimave të luftës në Kosovë, gjatë gërmimeve në fshatin Rudnicë të Rashkës ku besohet se mund të jenë trupat e 250 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së viteve 1998 - 1999 në Kosovë.

Paralajmërimi për rifillimin e gërmimeve në pranverë u bë gjatë takimit të grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë në Beograd. Ata ishin mbledhur për të 35-ten herë me radhë në kuadër të takimeve të ndërmjetësuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, takime që kanë filluar dhjetë vjet më parë.

Në një njoftim të këtij komiteti thuhet se pavarësisht faktit se mbi 70 operacione terreni janë kryer dhe 12 vendvarrime të dyshuara janë hapur gjatë 12 muajve të fundit, vetëm 45 raste janë zgjidhur gjatë vitit 2013. Sfida kryesore qëndron në mungesën e informatave të reja mbi vendvarrimet e mundshme. Gjatë takimit të sotëm, familjet shprehën shqetësimin e tyre të thellë mbi përparimin e kufizuar të arritur vitin e kaluar dhe u bënë thirrje palëve që të ndërmarrin hapa më të shpejtë.

Sa i përket Rudnicës, punët do të rifillojnë në pranverë duke u bazuar në hapat konkret të propozuar sot nga delegacioni i Beogradit që parasheh largimin e godinës që gjendet në lokacion, zhvarrimin, autopsinë, identifikimin dhe dorëzimin e mbetjeve mortore familjeve, si dhe vlerësimin e një lokacioni tjetër në zonën e njëjtë”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Kryqit të Kuq, në të cilën nënvizohet se “sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe ligjit ndërkombëtar për të drejta të njeriut, familja e personit të zhdukur ka të drejtë të informohet mbi fatin dhe vendndodhjen e familjarit të tyre. Autoritetet dhe ish-palët ndërluftuese mbartin përgjegjësinë kryesore për të ofruar përgjigje”.

Edhe 15 vjet pas luftës në Kosovë, mbetet i panjohur fati i mbi 1 mijë e 700 personave, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.
Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG