Lidhje

Hagë: Ulen dënimet për krime lufte ndaj tre zyrtarëve serbë


Gjykata për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë uli sot dënimet për tre ish zyrtarë të lartë serbë të dënuar për krime kundër shqiptarëve të Kosovës

Dhoma e apelit e Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, uli sot dënimet për tre ish zyrtarë të lartë serbë, që ishin shpallur fajtorë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.

Ish nënkryetari i qeverisë jugosllave Nikola Shainoviç, gjeneralët e ish Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviç e Vlladimir Lazareviç, si dhe ish gjenerali i policisë serbe Sreten Lukiç, qenë dënuar në shkurt të vitit 2010 më nga 15 deri 22 vjet heqje lirie, për fushatën e vrasjeve, torturave dhe dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës gjatë vitit 1999.

Nikola Shainoviçit, i cili qe dënuar me 22 vjet heqje lirie, gjykata sot i uli dënimin në 18 vjet. Sreten Lukicit në 20 nga 22 sa ishte dënuar fillimisht dhe Vladimir Lazareviçit, nga 15 në 14 vjet heqje lirie.

I pandryshueshëm mbeti dënimi prej 22 vjetësh për ish gjeneralin Nebojsha Pavkoviç.

Në aktakuzën e njëjtë, kishte qenë i përfshirë edhe ish presidenti i Serbisë Milan Millutinoviç, i cili qe shpallur i pafajshëm, ndërsa ish shefi i ushtrisë serbe Dragolub Ojdaniç, ishte liruar vitin e kaluar, pasi kishte mbajtur dy të tretat e dënimit prej 15 vjetësh.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Hagës, nxiti zemërimin e familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Kryetarja e organizatës “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, Nesrete Kumnova, tha se me këtë vendim “është shkelur populli i pafajshëm shqiptar”.

“Në vend që tu rritet dënimi për shkak të gjenocidit të bërë ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, me mbi 15 mijë të vrarë, 6 mijë qytetarë të zhdukur dhe me mbi 20 mijë femra të dhunuara, ata e zvogëlojnë dënimin”, thuhet në reagim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG