Lidhje

Një shqiptar vdes nga të ftohtit në Hungari


Në Kosovë, autoritetet thanë se një shqiptar është gjetur i ngrirë në Hungari. I ndjeri po synonte të hynte në rrugë të paligjshme në vendet e Bashkimit Evropian.

Ambasada e Kosovës në Hungari tha se është bërë identifikimi i trupit të pajetë dhe tash për tash autoritetet hungareze po punojnë për ndriçimin e rrethanave të ngjarjes.

Ndërkaq, Muharrem Svarqa, kryetar i komunës së Ferizajt, rreth 40 kilometra në juglindje të Prishtinës, tha se qytetari Ali Fetahu, nga fshati Talinoc i Muhaxherëve të Ferizajt, ka humbur jetën në Hungari, si pasojë e kushteve atmosferike, derisa po synonte rrugën e mërgimit.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila vizitoi familjen Fetahu në fshatin Talinovc të Ferizajt, për t’u shprehur ngushëllimet e saj, tha se “ky rast tragjik nënvizon nevojën që institucionet e Kosovës dhe e gjithë shoqëria të bëjnë çmos për të parandaluar migrimin ilegal të qytetarëve të vendit duke rënë pre e atyre që po përfitojnë në fatkeqësi të tyre”.

Kohët e fundit në Kosovë janë rritur shqetësimet për shtimin e numrit të personave që po përpiqen të largohen drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Autoritetet thonë se grupe qytetarësh po e shfrytëzojnë territorin e Serbisë për të kaluar në Hungari dhe prej andej në ndonjërin nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian, në kërkim të një jete më të mirë. Ata thonë se grupe trafikantësh janë duke shfrytëzuar situatën për përfitime në kurriz të qytetarëve që përballen me gjendje të keqe ekonomike.

Një pjesë e diplomatëve të vendeve të Bashkimit Evropian kanë tërhequr vërejtjen se qytetarët e Kosovës nuk mund të fitojnë strehim në vendet e Evropës perëndimore, ndërsa u kanë bërë thirrje autoriteteve që të merren edhe me faktorët nxitës për emigrimin.

Në dhjetor Këshilli i Ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në përfundimet e tij për Kosovën, theksoi se nevoja për reforma strukturore ekonomike që trajtojnë shkallën e lartë të papunësisë është duke u bërë urgjente.

Komisioni Evropian hapi bisedimet me Kosovën për liberalizimin e vizave në janar të vitit 2013. Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropën Juglindore jashtë këtij procesi dhe qytetarët e saj mund të udhëtojnë në shumë pak vende pa viza.

XS
SM
MD
LG