Lidhje

Kosovë: BE-ja kërkon pengimin e emigrimeve të paligjshme


Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e personave që përpiqen të largohen drejt vendeve të BE-së, por kohët e fundit janë shtuar shqetësimet për rritjen e përpjekjeve të tilla.

Zyra e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit e shteteve të anëtare të BE-së në Kosovë, u kanë bërë thirrje të martën institucioneve të Kosovës që të angazhohen për të luftuar dukurinë e emigrimeve të paligjshme. Ata diskutuan edhe me përfaqësuesit e policisë së Kosovës pas shqetësimeve për rritjen e numrit të qytetarëve të Kosovës që po largohen nga vendi për të udhëtuar për në Bashkimin Evropian, madje edhe duke kaluar në rruge të paligjshme kufirin për në vendet e BE_së.

Thomas Gnocchi, ushtrues i detyrës së shefit të zyrës së BE-së në Kosovë, tha se sistemi i strehimit në BE “ekziston për qytetarët që i ikin përndjekjes ose rrezikut të madh në vendin e tyre dhe të cilët kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. Në rastin e Kosovës, ka shumë pak gjasa që aplikimet për strehim të pranohen. Çdo vendim për dhënien ose jo të azilit është individual, mirëpo duhet përmendur se shumica e aplikimeve për strehim nga Kosova refuzohen dhe qytetarët kthehen në atdhe. Qytetarët e Kosovës, përfshirë këtu romët, ashkalitë dhe egjiptasit, rrezikojnë që të bëjnë shpenzime të konsiderueshme vetëm për t’u kthyer sërish në Kosovë, por mbesin edhe më të varfër pas kthimit”, citohet të ketë thënë zoti Gnocchi, duke nënvizuar se kërkesat për strehim janë të dëmshme edhe për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Sipas tij, Bashkimi Evropian me shqetësim vë re “përfshirjen e grupeve trafikante të organizuara dhe kriminale, të cilat shfrytëzojnë rastin të përfitojnë nga dëshpërimi dhe nga gatishmëria e disa qytetarëve për të shkuar në vendet e BE-së. Për këtë, u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të angazhohen fuqimisht e të merren me këto grupe kriminale”.

Diplomatët evropian në Prishtinë i kërkuan qeverisë së re që “të merret edhe me faktorët shtytës për këtë migrim. Njerëzit kanë nevojë për punë që të kenë të ardhme. Në veçanti, ata persona që ndihen të margjinalizuar dhe të diskriminuar, grupet minoritare, kanë nevojë për përkrahjen e qeverisë. Kosova duhet të rrisë përpjekjet e saj për integrimin dhe ri integrimin e tyre socio-ekonomik”.

Ndonëse nuk ka të dhëna të sakta për numrin e personave që dëshirojnë, apo përpiqen të largohen drejt vendeve të BE-së, organet e rendit pohojnë se në muajt e fundit është shënuar një rritje e përpjekjeve të tilla.

Autoritetet thonë se grupe qytetarësh po e shfrytëzojnë territorin e Serbisë për të kaluar në Hungari dhe prej andej në ndonjërin nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian, në kërkim të një jete më të mirë.

XS
SM
MD
LG