Lidhje

FMN, situata politike do të ndikojë në ekonominë e Kosovës

  • Leonat Shehu

Zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtarë thanë se situata politike në Kosovë mund të ndikojë në ekonominë e saj.

Shefi i këtij fondi për Kosovën, Ruud Vermeulen, tha të hënën se ekonomia e Kosovës gjatë këtij viti pritet të rritet për 3.8 për qind, por kjo sipas tij është e pamjaftueshme për nevojat e Kosovës.

Zoti Vermeulen tha se kriza politike nëpër të cilën po kalon Kosova do të ndikojë në uljen e konsumit, uljen e të hyrave dhe uljen e investimeve,

“Ne jemi të shqetësuar se kjo mund të dëmtojë përsëri besimin e investitorëve dhe besimin e konsumatorëve siç ka ndodhur në vitin 2014 me ngërçin politik dhe si i tillë do të ketë ndikim në rritjen e besimit të mbledhjes së të hyrave”, tha zoti Vermeulen, duke vënë theksin ndërkaq tek situata në parlamentin e Kosovës.

“Përveç kësaj shqetësim i madh mbetet edhe pengimi i punës normale të parlamentit dhe kjo do të vonojë miratimin e ligjeve të rëndësishme, përfshirë ligjin e rëndësishëm për programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar me Kosovën. Kështu që është një shqetësim vazhdimi i situatës së tanishme apo përkeqësimi i saj. Fondi Monetar Ndërkombëtar do të duhej të rishikojë rritjen e konomike për këtë vit që pritet të jetë 3.8 për qind”, tha zoti Vermeulen.

Kosova ka hyrë në muajin e pestë të përballjes më një krizë të thellë politike për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes së arritur në bisedimet me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Aktualisht, nuk duket ndonjë shenjë pajtimi për tejkalimin e situatës.

Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje opozitës që të ulet në tryezën e dialogut politik. Por, partitë opozitare kërkojnë rrëzimin e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt kanë paralajmëruar protestën e radhës për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë.

XS
SM
MD
LG