Lidhje

Digjet makina e deputetit Ismet Beqiri


Në orët e para të mëngjesit të hënës në Prishtinë është djegur një makinë, që përdorej nga shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri.

Policia e cila rastin po e heton si "shkatërrim dhe dëmtim të pasurisë", ende nuk ka mundur të jap hollësi për motivet apo autorët e mundshëm të zjarrvënies.

Vetë zoti Beqiri tha se makina është pronë e Lidhjes Demokratike, e cila ndërkaq e cilësoi rastin si "sulm i drejtuar kundër institucioneve, përfaqësuesve legjitimë dhe kundër funksionimit demokratik të Republikës së Kosovës. I ndodhur në vazhdën e sulmeve kriminale që kanë ndodhur së fundi brenda dhe jashtë institucioneve, edhe ky akt ka për synim zhytjen e vendit në kaos dhe anarki për përfitime politike të subjekteve të caktuara me agjenda të qarta antiperëndimore" thuhet mes tjerash në një reagim të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ditë më parë në rrethana të pasqaruara u dogj makina e familjes së ministrit të bujqësisë Memli Krasniqi, si dhe makina e familjes së zëvendësministrit të pushtetit lokal, Bajram Gecaj.

Tensionet politike në Kosovë, vazhdojnë të jenë të larta për shkak të krizës politike që tashmë për gati një gjysmë viti ka përfshirë vendin.

Opozita është hedhur në protesta në parlament dhe jashtë tij, duke kërkuar rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme si rrjedhojë e marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Qeveria thotë se opozita po synon të marrë pushtetin me dhunë.

XS
SM
MD
LG