Lidhje

Sulmohet familja e një politikani lokal serb


Policia e Kosovës tha se është sulmuar familja e politikanit serb Oliver Ivanoviç, në veriun e Mitrovicës.

Policia e Kosovës bëri të ditur se është sulmuar familja e politikanit lokal serb Oliver Ivanoviç, në veriun e Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe.

Sipas policisë, një person i panjohur ka hyrë në apartamentin e familjes së zotit Ivanoviç dhe ka qëlluar bashkëshorten e tij, ndërsa është larguar në drejtim të panjohur pasi ka dëmtuar edhe orenditë në apartament.

Oliver Ivanoviç, drejton nismën qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia” me të cilën do të marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin komunal në Kosovës që mbahen më tre nëntor. Vet ai është kandiduar për postin e kryetarit të komunës veriore të Mitrovicës.

Policia beson se sulmi ndaj familjes së tij ka të bëjë me angazhimin e tij për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet komunale të Kosovës.

Serbët në veriun e Kosovës, janë të ndarë rreth zgjedhjeve komunale. Një pjesë e tyre kundërshtojnë çdo mundësi të përfshirjes në institucionet e Kosovës.

Të hënën, Beogradi shkarkoi kryetarët dhe shpërndau kuvendet e komunave veriore që mbështeteshin prej tij, për shkak të kundërshtimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Beogradi mbështetë një listë të veçantë të serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet komunale, pas të cilave do të krijohet bashkësia e komunave serbe, që sipas marrëveshjes, do të ketë një shkallë të gjerë autonomie.
XS
SM
MD
LG