Lidhje

Shpërthim në veri të Mitrovicës


Shpërthimi që kaloi pa pasoja në njerëz, vlerësohet si veprim kundër përfshirjes së serbëve në zgjedhjet komunale të Kosovës

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm ka ndodhur një shpërthim në pjesën veriore të Mitrovicës, një zonë e banuar me shumicë serbe. Shpërthimi që kaloi pa pasoja në njerëz, la pas vetes dëme materiale në disa objekte.

Policia tha se po kryen hetimet dhe tash për tash nuk dihen hollësi rreth motiveve apo autorëve të mundshëm të këtij incidenti.

Sulmi është kryer mbi pronën e serbit Gjorgje Kostiç, kandidat i Partisë së Pavarur Liberale serbe për zgjedhjet komunale të tre nëntorit në Kosovë.

Sekretari i kësaj partie që është pjesë e qeverisë së Kosovës, Petar Miletiç, tha se sulmi ishte politikisht i motivuar me qëllim të frikësimit të atyre që duan të marrin pjesë në zgjedhje.

Ditë më parë një sulm kishte ndodhur në banesën e serbit, Nebojsha Mariç, i cili ishte kandidat për zgjedhjet komunale nga radhët e kësaj partie nga e cila ishte tërhequr disa ditë para sulmit.

Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë Jean-Claude Schlumberger e dënoi sulmin në veri të Kosovën duke e cilësuar si “sulm të neveritshëm”.

Këto akte të frikësimit e rrezikojnë sigurinë e njerëzve që jetojnë në veri të Kosovës dhe ndërhyjnë me procesin zgjedhor. Ato janë të papranueshme dhe nuk mund të tolerohen” thuhet në reagimin e ambasadorit Schlumberger.

Përfshirja e veriut të Kosovës në zgjedhjet komunale të tre nëntorit ishte pjesë e marrëveshjes së arritur në prill të këtij viti ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Mirëpo, një pjesë e përfaqësuesve serbë në veri nuk pajtohet me përfshirjen në zgjedhje, meqë kjo do të nënkuptonte përfshirje në institucionet e shtetit të Kosovës që ata nuk i njohin dhe nuk i pranojnë.

Autoritetet e Beogradit po u bëjnë thirrje serbëve që të marrin pjesë në votime meqë në këtë mënyrë, siç thuhet, ata do të sigurojnë ngritjen e strukturave të njohura ndërkombëtarisht.

Rreth 30 subjekte politike serbe janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhje, ndërsa Beogradi mbështetë Nismën Qytetare serbe. Marrëveshja parasheh që pas zgjedhjeve të krijohet bashkësia e komunave serbe e cila do të gëzojë një shkallë të gjerë autonomie.
XS
SM
MD
LG