Lidhje

Shpërthime në veriun e Kosovës


Tri shpërthime në dy incidente të ndara në veriun e banuar me shumicë serbe, kanë kaluar pa pasoja në njerëz.

Policia e Kosovës tha se tri shpërthime kanë ndodhur në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, por pa pasoja në njerëz.

Sipas policisë, dy mjete shpërthyese janë hedhur në një lagje me popullsi të përzier në veriun e Mitrovicës. Dy makina janë dëmtuar nga shpërthimet, ndërsa dëme janë shkaktuar edhe në një apartament të njërit nga pallatet e zonës.

Zona ku ka ndodhur shpërthimi është afër urës kryesore mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse të Mitrovicës, në veriun me shumice serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.

Policia tha se po kryen hetimet dhe ende nuk dihet asgjë për motivet apo autorët e mundshëm të këtij incidenti.

Policia tha se po heton edhe një shpërthim tjetër në komunën e Leposaviqit, një nga komunat me shumicë serbe në veri.

Shpërthimi ka lënë pas vetes dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.

Më herët të dielën, autoritetet e policisë thanë se është gjetur një mjet shpërthyes në shtëpinë e një pjesëtari të komunitetit serb në komunën e Zveçanit, në veri. Mjeti që nuk kishte shpërthyer është larguar nga forcat e policisë.

Pronari i shtëpisë thuhet se është punonjës lokal i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

XS
SM
MD
LG