Lidhje

Kosova shënon përvjetorin e shtatë të pavarësisë


KOSOVO INDEPENDENCE ANNIVERSARY

KOSOVO INDEPENDENCE ANNIVERSARY

Kosova po shënon përvjetorin e pavarësisë së saj nën hijen e zhvillimeve që vënë në pah në radhë të parë rimëkëmbjen shumë të ngadalshme të ekonomisë së rrënuar të saj.

Stoli modeste në rrugët kryesore të Prishtinës janë shenja të varfra të manifestimeve me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Shtatë vjet më parë, Kosova shpalli pavarësinë e saj, nëntë vjet pas përfundimit të luftës që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Shtatë vjet më pas përparimet në rimëkëmbjen ekonomike janë të pamjaftueshme dhe radhiten në mesin e shkaqeve që çuan në një shkallë të lartë të migrimeve drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Vendi përballet me shkallë të lartë të papunësisë që sipas shifrave zyrtare arrin në mbi 30 për qind, ndërsa jo zyrtarisht thuhet e kjo shifër është me e lartë. Çdo vit tregut të punës i shtohen mbi 25 mijë persona, ndërsa punë gjejnë jo më shumë se 6 mijë veta. Rrjedhimisht kjo pasohet nga një shkallë e lartë e varfërisë.

​Drejtuesit më të lartë të Kosovës thonë se me gjithë sfidat pavarësia e Kosovës u dëshmua si faktor i rëndësishëm i paqes e qëndrueshmërisë në rajon.

Shtatë vjet pas pavarësisë, Kosova ende përballet me sfidat e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari. Deri tash ajo është njohur nga mbi 100 vende të botës.

Pavarësia e saj vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila është përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.

Por, Kosova vazhdon të mbetet e fundit në këto procese. Ajo vuri inicialet e saj në marrëveshjen e stabilizim asocimit, e cila pritet të nënshkruhet gjatë këtij viti, por vështirë se mund të fillojë të zbatohet para vitit të ardhshëm.

Kosova është vendi i vetëm në Evropën juglindore që ka mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave dhe qytetarët e saj nuk mund të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian pa viza.

Kosova ndërkaq është vendi me shkallën më të lartë të pranisë evropiane.

XS
SM
MD
LG