Lidhje

Kosova në kremte dhe në krizë në përvjetorin e tetë të pavarësisë


Kosova po shënon të mërkurën përvjetorin e tetë të pavarësisë së saj, duke u përballur me krizën më të rëndë politike. E mërkura duket si e ndarë në dysh. Paradite, në kryeqytet filluan manifestime të organizuara nga qeveria, ndërsa pasdite, opozita hidhet në protesta kundër qeverisë.

Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe njësitë e Policisë së Kosovës parakaluan në qendër të Prishtinës, në një ceremoni gjatë së cilës presidentja Atifete Jahjaga tha se 17 shkurti paraqet ditën më të shënuar në historinë e Kosovës.

“Megjithatë, Kosova sot është një demokraci ende e papërfunduar dhe e sfiduar në një kohë kur na duhet më shumë forcë për të tejkaluar dallimet dhe më shumë guxim për t’u përballur me dëshpërimin”, tha presidentja Jahjaga, dukë bërë thirje dialog politik në Kosovë.

“Sot është festë për gjithë Kosovën, kur secili prej nesh e ndjejmë se e ardhmja duhet të jetë më ndryshe, ku na duhet më shumë punë për të treguar se të tashmen e ndryshojmë vet, por jo me dhunë dhe me forcë. Jo me fuqinë e grushtit që sjell dhimbje e rrënim, që sfidon institucionet e shtetit, besimin në të cilin ne kemi luhatur. Jo me mohimin e asaj që kemi ndërtuar deri më sot dhe assesi me testimin e partneritetit tonë me faktorin ndërkombëtar”, ka deklaruar Jahjaga.

Partitë opozitare kanë caktuar për në orën 14 protestë në të cilën do të kërkohet shpallja e zgjedhjeve të reja dhe largimi i qeverisë në dritën e vlerësimeve të Gjykatës Kushtetuese mbi marrëveshjen e arritur me Serbinë për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Që nga shtatori i vitit të kaluar, opozita ka bllokuar punën e parlamentit duke kundërshtuar këtë marrëveshje sikurse edhe atë të arritur me Malin e Zi për shënimin e kufirit.

Qeveria ka bërë thirrje për dialog politik, duke u zotuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila në muajin dhjetor tha se pjesë të marrëveshjes nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës krahas urimeve për tetë vjetorin e pavarësisë, kanë bërë thirrje që kremtimet të mos zbehen nga protestat e së mërkurës.

Përgëzimeve për përvjetorin e pavarësisë por edhe thirrjeve për protesta të qeta u janë bashkuar edhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë. Kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit amerikan, Bob Corker, ritheksoi përkushtimin amerikan ndaj Kosovës.

E di se disa qytetarë të Kosovës do të demonstrojnë për të shprehur pikëpamjet e tyre për të ardhmen e Kosovës. Ata kanë të gjitha të drejtat që të protestojnë në mënyrë paqësore. Megjithatë, dallimet politike duhet të zgjidhen përmes debatit dhe jo me dhunë. Dita e pavarësisë duhet të jetë ditë e gëzimit, e jo të shënohet me dhunë”, tha senatori Corker.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari. Deri tash ajo është njohur nga mbi 100 vende të botës.

Pavarësia e saj vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila është përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane. Bisedimet i sigurua Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por, Kosova vazhdon të mbetet e fundit në proceset integruese. Ajo nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit në tetor të vitit të kaluar e cila u miratua nga Parlamenti Evropian në fillim të këtij viti.

Kosova është vendi i vetëm në Evropën juglindore që ka mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave dhe qytetarët e saj nuk mund të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian pa viza.

Kosova ndërkaq është vendi me shkallën më të lartë të pranisë evropiane.

XS
SM
MD
LG