Lidhje

Kosova kremton përvjetorin e pavarësisë


Kosova sot po shënon pesë vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj, që është njohur deri tash nga afro 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.

Në kremtimet e sotme, u tha se Kosova e pavarur është shndërruar në faktor të paqes e qëndrueshmërisë në rajon, por ajo përballet ende me sfida siç është vendosja e sundimit të ligjit në tërë vendin dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Parlamenti i Kosovës shënon përvjetorin e pavarësisë

Parlamenti i Kosovës shënon përvjetorin e pavarësisë


Në orët e pasdites Parlamenti i Kosovës u mblodh në seancë solemne në të cilën morën pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, shefi i opozitës, Edi Rama si dhe përfaqësues nga Maqedonia, Lugina e Preshevës etj.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se me shpalljen e pavarësisë filloi një kapitull i ri i historisë në Evropën juglindore.




Proceset në Kosovë janë të pakthyeshme dhe realiteti i shtetit tonë është bërë i njohur dhe i pamohueshëm. Ligjshmëria e Pavarësisë së Kosovës është vulosur me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe me vazhdimin e njohjes së mëvetësisë së saj nga pothuaj gjysma e botës. Dhe në këtë pesë vjetor mëvetësia e shtetit tonë është bërë më e plotë me heqjen e mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe marrjes së përgjegjësisë për të gjitha çështjet nga vetë institucionet e qytetarët e Kosovës”, tha presidentja Jahjaga

Presidentja Jahjaga tha se Kosova duhet të thellojë luftën kundër dukurive negative, krimit të organizuar e korrupsionit dhe duhet të dëshmojë se atë mund ta fitojë.

Gjeneratat e ardhshme do të na gjykojnë në bazë të punës sonë të tashme dhe sukseseve që do të arrijmë. Ne kemi forcë dhe aftësi, kemi guxim për ta fituar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo është beteja për shtetin tonë dhe për të ardhmen e tij”, tha presidentja Jahjaga.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte kryevepra e synimeve dhe sakrificave të shumë brezave.

Brenda një periudhe 14-vjeçare, Kosova realizoi dy objektiva të mëdha historike - çlirimin, pra lirinë e saj dhe pavarësinë e saj. Që nga shtatori i vitit që shkoi, Kosova hoqi mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë suksesshëm, duke u bërë shtet me përgjegjësi të plotë për veten dhe ardhmërinë e saj. Kjo është meritë e të gjithëve. Kjo dëshmon se storia e Kosovës është një storie e suksesshme kosovare dhe gjithë-ndërkombëtare”, tha kryeministri Thaçi.

Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli tha se synimi i të gjithë shqiptarëve në rajon është integrimi në strukturat e Bashkimit Evropian.

Ne duam të bashkohemi me njëri-tjetrin dhe ne duam të bashkohemi me familjen evropiane. Ne në Shqipëri, ju në Kosovë, shqiptarët në Maqedoni, shqiptarët në Mal të Zi. Ne shqiptarët jemi faktor konstruktiv, model i paqes, i lirisë, model për fqinjësinë e mirë”, tha zonja Topalli.

Parakalimi i Forcës së Sigurisë
Parakalimi i FSK-së

Parakalimi i FSK-së


Mesdita në Prishtinë kaloi në shenjë të parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, forcave të policisë dhe njësive të emergjencave. Për herë të parë këto forca nxorën në publik pajisjet më të reja që janë pjesë e përgatitjes së Forcës së Sigurisë ngritja e së cilës mbikëqyret nga NATO-ja.


Gjatë një fjalimi në fillim të parakalimit, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se e ardhmja e Kosovës është në integrimin e plotë në Bashkimin Evropian, NATO dhe në miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se sot po kremtohet ngjarja më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës.

Po shënojmë 5 vjetorin e lindjes së shtetit të lirë, sovran dhe demokratik. Liria dhe pavarësia e Kosovës ka qenë ëndërr e gjyshërve tanë, e baballarëve tanë, por edhe ëndërr e të gjithë neve që jetojmë sot në shtetin e Kosovës. Të gjithë së bashku ëndrrën e realizuam në realitet.Liria dhe pavarësia e Kosovës ka qenë ëndërr për të cilën është sakrifikuar shekuj me radhë. Ndërsa sot, Liria dhe Pavarësia e Kosovës është realitet për neve dhe fëmijët tanë”.

Zëvendës ambasadorja amerikane në Prishtinë Kelly Degnan, tha se Kosova ka shumë arsye për të kremtuar.

Sikundër presidenti Obama i ka shkruar presidentes Jahjaga, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë suksesin që ka arritur Kosova në pesë vitet e para të pavarësisë. Ky përparim është posaçërisht u dukshëm në zhvillimin e sektorit të sigurisë së Kosovës. Gjatë pesë viteve të shkuara, Forca e Sigurisë, Policia e Kosovës dhe agjencia për menaxhimin e emergjencave kanë luajtur rol thelbësor për sigurinë e gjithë qytetarëve të Kosovës. Kjo ka dëshmuar se Kosova mund të jetë ndimuese për sigurinë qoftë brenda qoftë në rajon”, tha zonja Degnan, duke ritheksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën.

Presidenti Obama ka riafirmuar përkushtimin e Amerikës për qëllimet e përbashkëta që të shohim Kosovën duke siguruar vendin e saj në ardhmërinë e saj demokratike e përparimtare evropiane, të udhëhequr nga vlerat tona të përbashkëta të tolerancës, respektit të ndërsjellë dhe barazisë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë partner me Kosovën në ndërtimin e së ardhmes së sigurt për të gjithë qytetaret e Kosovës dhe për të nxitur paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon”, tha zonja Degnan.

Kosova përballë sfidave në vitin e gjashtë të pavarësisë

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari. Deri tash ajo është njohur nga afro 100 vende të botës.

Pavarësia e saj vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila edhe sot përsëriti qëndrimin se nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Por Serbia është pajtuar të angazhohet në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve meqë kjo është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.

Diplomatët i kanë kërkuar Serbisë që të shpërbëjë strukturat e saj të sigurisë në veriun e Kosovës si kusht që të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Prishtina zyrtare e cila synon integrimet evropiane, shpreson që në fund të marrë datën për fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, por edhe të zgjidhe situatën në veriun e saj ku nuk është shtrirë autoriteti i saj. Beogradi kërkon një shkallë të lartë të autonomisë për veriun e Kosovës, ndërsa Prishtina hedh poshtë një mundësi të tillë.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha sot se Kosova nuk ka frikë nga bisedimet në të cilat kja hyrë me vullnetin për ta përfunduar më shpejt një kapitull të rëndë të marrëdhënieve të vështira me Serbinë.

Dialogu nuk po zhvillohet për ta ndarë Kosovën, as për të krijuar enklava të veçanta të askujt, as autonomi e statuse të posaçme. Të gjitha zgjidhjet janë brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe me standarde evropiane. Respekti i ndërsjellë, si dy shtete sovrane e të pavarura, do të na ofrojë më shumë me BE-në dhe do ta zbehë kundërshtinë mes nesh. Historinë nuk mund ta zhbëjmë, por le ta ndërtojmë të tashmen në paqe, për hir të së ardhmes”, tha presidentja Jahjaga.

Çështja e veriut të Kosovës pritet të jetë temë kryesore në takimin e radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Dacic, takim që do të zhvillohet më 19 dhe 20 shkurt në Bruksel.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG