Lidhje

Kosova shënon përvjetorin e pavarësisë


Manifestime e veprimtari të shumta po përshkojnë ditën e sotme që shënon gjashtë vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Drejtuesit e saj kryesor thanë se pavarësia e Kosovës u dëshmua si faktor i rëndësishëm i paqes e qëndrueshmërisë në rajon. Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se kjo datë shënon historinë e pakthyeshme dhe të pamohueshme të shtetit të ri.



Dhe ne e kemi shkruar të tashmen tonë - në paqe - me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë, si vullnet i përbashkët i yni dhe i të gjithë atyre që na kanë ndihmuar përgjatë gjithë historisë sonë. Në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe vendet e Bashkimit Evropian. Dhe të ardhmen padyshim se do ta kemi të ndërlidhur me po këta miq tanë. 17 Shkurti shënon historinë e pakthyeshme dhe të pamohueshme të shtetit të Kosovës, një realiteti të krijuar në botë, që ruan pacenueshmërinë e tij dhe që frymon lirshëm. Kemi qenë në anën e drejtë të historisë, sado që përpjekjet e dhunshme dhe e kaluara e hidhur e ka ngadalësuar ecjen tonë drejt synimit për të qenë pjesë e pandashme e projektit të Bashkimit Evropian. Periudha e konflikteve dhe hasmërive në Ballkan ka përfunduar dhe tani është hapur një mundësi e integrimit - në një epokë të rëndësishme kur marrëdhëniet e mira fqinjësore shndërrohen në vlera të pamohueshme për të gjitha vendet tona që aspirojnë anëtarësimin në familjen evropiane”, tha presidentja Jahjaga.

Në një mbledhje solemne të Parlamentit të Kosovës, u tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte kryevepra e synimeve dhe sakrificave të shumë brezave. Kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi tha se Kosova ka nevojë të mësojë edhe të kaluarën për të mos lejuar përsëritjen e historisë.

Republika jonë e re ka moshën e një fëmije që sapo fillon shkollën dhe mësimin. Para saj shpërfaqet në horizontin e kaltër e ardhmja plot sfida, por e sigurt. Ne kemi nevojë të mësojmë nga shembujt e mirë, por edhe të këqij, të të tjerëve, kemi nevojë të mësojmë të kaluarën për të mos na u përsëritur historia, as si farsë as si tragjedi, kemi nevojë të mbajmë gjallë amanetin e themeluesve të pavarësisë së Kosovës, për lirinë, për nderin dhe begatinë e vendit e popullit që përfaqësojmë. Vendi ynë, ka hyrë tashmë në projektin e madh dhe historik të integrimeve euroatlantike. Përcaktimi i popullit të Kosovës për vlerat evropiane dhe euroatlantike është baza dhe garancia e këtij projekti. Procesi reformues, shpeshherë me dhembje dhe kosto të lartë, lufta e pa kompromis kundër krimit e korrupsionit dhe sigurimi i sundimit të ligjit e rendit, ngritja ekonomike dhe luftimi i varfërisë e papunësisë, janë padyshim, sfidat më të rënda të Kosovës në rrugën drejt së ardhmes së aspiruar”, tha zoti Krasniqi.

Kremtime me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës

Kremtime me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës

Mesdita në Prishtinë kaloi në shenjë të parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, forcave të policisë dhe njësive të emergjencave. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se parakalimi i sotëm i forcës së sigurisë është i fundit para shndërrimit të saj në forcë mbrojtëse të armatosur.

Kjo është parada e fundit e nderimit të Ditës së Pavarësisë ku ne e shohim parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me emrin e saj të deritanishëm. Na ndan një kohë shumë e shkurtër, javë apo muaj nga themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës. Forcat e Armatosura të Kosovës do të jetë të afta ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe do të ndihmojnë në ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit në vend”, tha kryeministri Thaçi.

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracy Jacobson ritheksoi sot mbështetjen amerikane për shtetin e Kosovës.

Presidenti Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur përparimin tuaj drejt integrimeve euroatlantike dhe për ndërtimin e të ardhmes më të ndritur për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ambasadorja Jacobson.

Gjashtë vjet pas pavarësisë, Kosova ende përballet me sfida të shumta, përfshirë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një e keqe që sipas presidentes Jahjaga duhet luftuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës në duart e të cilëve, tha ajo, qëndron fuqia për ta bërë Kosovën një shembull të demokracisë së zhvilluar, ku gjithpërfshirja nënkupton edhe detyrim e përgjegjësi dhe gjithsesi mirëkuptim nga të gjithë.

Dhe prandaj, Ne duhet të dëshmojmë se kemi guximin dhe forcën për ta mundur secilën dukuri negative në shoqëri, që do të garantojë rrugën e integrimeve në BE, një aspiratë të qytetarëve tanë, që i bashkon të gjithë njerëzit e Kosovës, pa dallim. Ne nuk mund ta humbim shansin për ta bërë Kosovën një vend të pastër dhe pa korrupsion, një vend pa krim të organizuar dhe një vend ku gjeneratat e ardhshme mund të realizojnë vullnetin dhe ëndrrën e tyre, pa na gjykuar për mosguximin që të përballemi me sfidat e tashme”, tha presidentja Jahjaga.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari. Deri tash ajo është njohur nga mbi 100 vende të botës.

Pavarësia e saj vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila është përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.​

Trego komentet

XS
SM
MD
LG