Lidhje

Kosova të hënën bëhet me institucione të reja


Të hënën pritet që PDK dhe LDK të përmbyllin zyrtarisht marrëveshjen për bashkëqeverisje - parlamenti i Kosovës mblidhet në mesditë.

Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pritet që të hënën paradite të nënshkruajnë marrëveshjen e plotë për bashkëqeverisje, ndërsa në mesditë të mblidhet parlamenti i Kosovës për të vazhduar procesin e ndërtimit të institucioneve.

Udhëheqësit e të dyja partive, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa diskutuan sot për disa orë për ndarjen e pushtetit.

Zoti Thaçi tha nëpërmjet rrjetit social Facebook se nënshkrimi i marrëveshjes se koalicionit do të bëhet nesër ne orën dhjetë në Parlamentin e Kosovës, dhe se ata janë pajtuar që ndërtimi i institucioneve qendrore të bëhet menjëherë pas nënshkrimit te marrëveshjes, po ditën e hënë.

As sot nuk janë dhënë hollësi rreth mënyrës së ndarjes së pushtetit ndërmjet këtyre dy partive të cilat më 19 nëntor qenë marrë vesh për krijimin e koalicionit të ri qeverisës.

Lidhja Demokratike që nga 19 nëntori ka përsëritur qëndrimin se marrëveshja mund të funksionojë vetëm nëse ata e marrin postin e kryeministrit të Kosovës.

Sido qoftë, të hënën në mesditë pritet vazhdimi i seancës parlamentit që duhet të zgjedhë udhëheqjen e tij dhe pas kësaj pritet që të vazhdojë procesi i ndërtimit të qeverisë së re të Kosovës.

Të hënën mbushen gjashtë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zvarritja e ndërtimit të institucioneve e kishte futur Kosovën në krizën më të thellë institucionale që nga shpallja e pavarësisë së saj në shkurt të vitit 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG