Lidhje

Kosovë, formimi i institucioneve


Gjykata Kushtetuese do të mbajë dëgjim publik më 21 gusht para se të merret vendimi mbi kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryetarit të parlamentit të Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se më 21 gusht do të mbahet seancë dëgjimore publike, në të cilën do të shqyrtohet kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës për “vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të votuar nga 83 deputetë të Parlamentit të Kosovës, për zgjedhjen e kryetarit të këtij parlamenti, më 17 korrik. Në seancë pritet të marrin pjesë parashtruesi i kërkesës, si dhe përfaqësuesit zyrtar të 14 subjekteve të tjera politike në Parlamentin e Kosovës”.

Më 23 korrik, Gjykata Kushtetuese vendosi masën e përkohshme me të cilën pezulloi vendimin për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit. Më 17 korrik parlamenti u mblodh në seancën e parë pas zgjedhjeve të parakohshme të tetë qershorit në të cilën kryetari i Lidhjes Demokratike Isa Mustafa u zgjodh kryetar, por pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila më pas kërkoi nga Gjykata Kushtetuese shqyrtimin e kushtetutshmërisë së këtij vendimi.

Gjykata tha se masa e përkohshme vlen deri në publikimin e vendimit përfundimtar dhe jo më vonë se më 18 shtator 2014.

Partia Demokratike e Kosovës, doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke fituar 37 vende në parlamentin 120vendesh të Kosovës. Përfaqësues të saj thonë se ajo mbetet grupi më i madh parlamentar dhe si i tillë ka të drejtën kushtetuese që të marrë postin e kryetarit të Parlamentit, sikurse edhe drejtimin e qeverisë së re. Por, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën janë regjistruar si një grup i vetëm parlamentar dhe me këtë ata siguruan një grup prej 47 deputetësh. Duke llogaritur edhe në mbështetjen e lëvizjes Vetëvendosje, ata pretendojnë se u takon posti i kryetarit të parlamentit dhe kanë numrat e mjaftueshëm edhe për ngritjen e qeverisë së re, nëse këtë nuk mund ta bëjë Partia Demokratike, e cila ka të drejtën që e para të provojë ngritjen e qeverisë së re.

Këto zhvillime e kanë bërë shumë sfidues procesin e formimit të institucioneve të reja dhe kanë lanë të hapur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Partia Demokratike nëpërmjet një letre të nënshkruar nga zëvendëskryetari i saj Kadri Veseli, tha të premten se “me vërsuljen pas 8 qershorit, për ta marrë pushtetin pa garantimin e një qeverisje me përfshirje të gjerë e të qëndrueshme, e cila, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, duhet t’i ketë mbi 80 deputetë, Kosova nga një ngërç politik aktual, do të hyjë në një krizë institucionale”. Kjo krizë, thuhet në letër, “jo vetëm që do t’i bëjë të pashmangshme zgjedhjet e parakohshme, por mund të prodhojë edhe gjendje të padëshiruara që do t’i kushtonin vendit dhe qytetarit.

Një qeverisje me shumicë të thjeshtë, nën 80 deputetë, nuk i duhet Republikës, duke marrë parasysh sfidat e vendit dhe nevojat programore për një ndryshim rrënjësor të një qeverisjeje me orientim të theksuar ekonomik”, thuhet në letër, e cila nga partitë tjera politike është parë si përpjekje e Partisë Demokratike për të hedhur mundësinë e krijimit të një qeverie gjithëpërfshirëse.

Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën së bashku me lëvizjen Vetëvendosje, deri tash janë zotuar se nuk do t’i përgjigjen asnjë ftese të mundshme të Partisë Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Sido qoftë, java e fundit e muajit gusht mund të jetë periudhë e sqarimit të situatës nga Gjykata Kushtetuese, nga vendimet e së cilës do të varet i gjithë procesi.

XS
SM
MD
LG