Lidhje

Sfidat për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës


Partitë politike në Kosovë ende shumë të ndara rreth ngritjes së institucioneve edhe tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare

Parlamenti i Kosovës pritet të mblidhet të premten më 12 shtator për të zgjedhur udhëheqjen e tij, që është kusht për ngritjen e institucioneve në bazë të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura tre muaj më parë. Por, ende është e paqartë nëse kjo mbledhje do të gjejë ndonjë zgjidhje për ngërçin politik për shkak të qëndrimeve tërësisht të kundërta të partive politike.

Kosove, Ndertimi i institucioneve
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:32 0:00

Partia Demokratike shpalli sot se kandidat i saj do të jetë deputeti Arsim Bajrami, ndërsa Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën thonë se do të ngulin këmbë që Isa Mustafa të jetë kryetar i parlamentit. Ata llogarisin edhe në mbështetjen e lëvizjes Vetëvendosje me të cilën të mërkurën presin të nënshkruajnë një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Për, analistët të dyja palët ndodhen para sfidave të mëdha për krijimin e institucioneve. Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se në seancën e së premtes nuk pritet ndonjë ndryshim nga ajo e 17 korrikut, pasi që sipas tij që nga ajo kohë nuk ka pasur lëvizje të partive politike.

“Bazuar në këtë del se në seancën e 12 shtatorit do të ketë një përsëritje të ngjarjes së 17 korrikut dhe kjo normalisht nuk jep shpresë për zgjidhje. Kjo situatë ndoshta mund të komplikojë edhe më tutje sepse mund të kemi një tendencë të PDK-së për të dërguar edhe njëherë në gjykatën Kushtetuese dhe nuk jam i sigurt që gjykata Kushtetuese do të trajtojë edhe njëherë sepse kjo çështje është e gjykuar dhe më pastaj do të sjellë të them topin sërish te politika, duke thënë se ju jeni ata që duhet të bëni zgjidhjen”, thotë zoti Selmanaj.

Zoti Selmanaj thotë se pas këtij skenari duhet të pasojë veprimi i presidentes së vendit, që sipas tij është shndërruar në një spektatore të këtij procesi.

“Dhe krejt nga ajo(presidentja) varet, nëse ajo do të pranojë gjendjen ose legjitimitetin i cili do të del nga seanca e 12 shtatorit, nëse ajo më pas do të merr veprime kushtetuese mbi mandatarin për themelimin e qeverisë dhe nëse presidentja nuk e bënë këtë, atëherë futemi në një situatë të paqartë dhe vështirë të para mendueshme se si do të dalim nga kjo situatë e paqartë politike që e kanë krijuar vet subjektet politike në Kosovë”, thotë zoti Selmanaj.

Analisti i Institutit për Hartimin e Politikave KIPRED, Albert Krasniqi thotë se tash është krijuar një situatë e re nga vendimi i gjykatës Kushtetuese dhe dallon nga seanca e kaluar.

“Tani ka vetëm një subjekt politik që ka të drejtën të propozojë kandidatin për kryetar të parlamentit, por ky subjekt nuk i ka votat e nevojshme dhe në anën tjetër kemi një koalicion të partive politike të cilat i kanë numrat e nevojshëm për të zgjedhur kryetarin e parlamentit, por nuk e kanë të drejtën për të propozuar atë. Këtë rast është e nevojshme që të kemi një bashkëpunim në mes këtyre dy forcave në mënyrë që të zgjidhet kryetari i parlamentit për shkak se asnjëra e vetme nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, ose duhet njëra prej palëve të heq dorë dhe të mundësoj zhbllokimin e këtij ngërci institucional tashmë që është bërë dhe ti hapet rrugë mandatarit për qeverinë në mënyrë që të kemi institucione të reja, të bëhen ndryshimet e nevojshme dhe tek pastaj të mendohet për kalkulime politike”, thotë zoti Krasniqi.

Zoti Krasniqi thotë se nuk do të duhej të ndërhyjë faktori ndërkombëtar për të zgjidhur ngërçin politik në vend.

“Tani më është koha kur ndërkombëtarët janë duke shikuar dhe duke parë se sa të pjekur politikisht jemi në mënyrë që ne vet të zgjidhim problemet dhe nuk është e shëndetshme për demokracinë që sa herë të ketë bllokada të tilla të jenë forcat jashtë atyre që i kanë shkaktuar për të zgjedhur problemin. Nuk besoj që do të ketë dhe nuk është e nevojshme një ndërhyrje ndërkombëtare. Kemi pasur në vitin 2010 kur kishim një ngërç institucional tek rasti i presidentit, ka pasur ndërhyrje ndërkombëtare, por pasojat e saj mund ti kemi edhe tani për shkak se ne edhe tani po kërkojmë që të jenë ndërkombëtarët që ata do të na zgjidhin problemet dhe nuk jemi mësuar që vet të bëjmë zgjidhje të tilla”, thotë zoti Krasniqi.

Ndërsa, zoti Selmanaj thotë se në të kaluarën qasja e faktorit ndërkombëtar ka qenë kryesore për zgjidhjen e këtyre ngërçeve politike dhe sipas tij është koha kur duhet vijnë sugjerimet e faktorit ndërkombëtar.

“Por them papjekuria, pamaturia jonë politike duket se po na detyron që ne të kërkojmë ndihmë nga miqtë tanë sepse vetëm ata me sugjerimet e tyre po janë të fuqishëm për të ndikuar te udhëheqësit tanë. Nëse ata vendosin të mos ndërhyjnë druaj se do të ketë edhe më tutje vonesa në krijimin e institucioneve dhe me këtë pëson qytetari i Kosovës”, thotë zoti Selmanaj.

Zhvillimet e deritashme politike e kanë bërë shumë sfidues procesin e formimit të institucioneve të reja dhe kanë lanë të hapur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ndërkaq, derisa diplomatët perëndimorë thonë se nuk do të ndërhyjnë në këtë çështje, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga nuk e ka hedhur poshtë një mundësi të tillë, por siç është thënë, vetëm në rast të rrezikimit të funksionimit të shtetit.

XS
SM
MD
LG