Lidhje

Debate pa rezultat për tejkalimin e krizës politike në Kosovë


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u ka tërhequr vërejtjen partive politike se moskrijimi i shpejtë i institucioneve do ta vështirësojë jetën e qytetarëve dhe do ta pengojë funksionimin e përgjithshëm të shtetit

Të mërkurëm mbushen katër muaj që kur Kosova mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ende nuk është bërë asnjë hap drejt formimit të institucioneve të reja. Partitë politike as të martën nuk dhanë ndonjë shenjë se janë të gatshme të merren vesh për tejkalimin e situatës së krijuar në vend. Sërish ata sot janë takuar me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga e cila po bënë përpjekje të sigurojë një marrëveshje politike.

Në një komunikatë të zyrës së presidentes Jahjaga, ajo citohet t’u ketë thënë drejtuesve të partive politike se “Kosova ka hyrë në një fazë kritike të saj dhe moskrijimi i shpejtë i institucioneve do ta vështirësojë jetën e qytetarëve dhe do ta pengojë funksionimin e përgjithshëm të shtetit”.

Duke e cilësuar si nevojë të menjëhershme krijimin e institucioneve për të përmbushur detyrimet që ka shteti fillimisht ndaj qytetarëve dhe detyrimet ndërkombëtare, presidentja ka vlerësuar se “shtyrja e zgjidhjes do të vështirësojë funksionimin e institucioneve të vendit si dhe do ta çojë vendin drejt një krize financiare dhe buxhetore”.

Ajo, thuhet në komunikatë, kërkoi nga udhëheqësit politikë që “të tregojnë maturi politike në këto çaste, të veprojnë në përputhje me kuadrin kushtetues si dhe të ofrojnë zgjidhjet që do të çojnë drejt ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme dhe avancimit të proceseve demokratike”.

Pas takimit, kryetari i Partisë Demokratike Hashim Thaçi tha se tërë procesi duhet të zhvillohet në pajtim me rezultatet e zgjedhjeve dhe vendimet e gjykatës kushtetuese.

Edhe sot ftoj spektrin politik që të reflektojnë dhe të kuptojnë se në marrëveshje mund të arrihet përmes komunikimit, përmes dialogut të brendshëm, duke respektuar vullnetin qytetar të vendit, natyrisht edhe aspiratat e partive politike në përputhshmëri me rezultatet zgjedhore në mënyrë që t’i japim vendit institucione stabile, institucione funksionale dhe të punojmë për të ardhmen tonë euroatlantike”, tha zoti Thaçi

Gjykata Kushtetuese, në fund të muajit gusht, shpalli të pavlefshëm vendimin për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit në seancën e 17 korrikut dhe i njohu Partisë Demokratike të drejtën që të propozojë kandidatin për kryetar, si grupi më i madh parlamentar i dalë nga zgjedhjet.

Por, përfaqësuesit e koalicionit të përbërë nga Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe lëvizja Vetëvendosje, thonë se shumica parlamentare e përbërë prej tyre mund të formojë institucionet. Këto katër parti kanë nënshkruar një kërkesë që të enjten më 9 tetor të mbahet seanca e parlamentit e cila javën që lamë pas ishte shtyrë nga kryesuesja e saj, Flora Brovina, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, thanë se parlamenti është vendi i diskutimit dhe zgjidhjes së situatës.

Në seancë të enjten do të shkojmë. Kuptohet që në seancë do të shkojmë në bazë të rendit të ditës që është zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së kuvendit. Me siguri që kësaj pike të rendit të ditës do t’i paraprijë kërkesa për debat. Pra, do të diskutojmë dhe të shohim se deri në çfarë mase do t’i japim epilog gjendjes në parlament”, tha zoti Haradinaj

Ne e duam debatin të enjten, sepse konsiderojmë që debati prej zyrave të mbyllura, qoftë ajo edhe e presidentes, duhet të bëhet në një vend të hapur, siç është salla e kuvendit të Republikës”, tha zoti Kurti.

Ndërkaq, kryesuesja e seancës Flora Brovina, ka ftuar për të mërkurën në mesditë një takim me përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar mundësinë e organizimit të seancës së parlamentit, e cila pa një marrëveshje politike mund të jetë vetëm përsëritje e seancave të deritashme që nuk i dhanë rrugë krizës politike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG