Lidhje

Thaçi: Rreziku nga ekstremizmi real dhe vdekjeprurës

  • Leonat Shehu

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se do të jetë gabim nëse nuk kuptohet se rreziku nga ekstremizmi është real dhe është vdekjeprurës. Ai i bëri këto komente në hapje të konferencës ndërkombëtare ndërfetare me temën “Roli i gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftimin e ekstremizmit”, e cila po mbahet në Prishtinë. Kjo është konferenca e pestë me radhë që po organizohet në Kosovë dhe në të po marrin pjesë më shumë se 300 mysafirë nga besimet e ndryshme në botë.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se luftimi i ekstremizmit të dhunshëm duhet të jetë gjithëpërfshirës. Ai tha se çdo vend është i rrezikuar nga fundamentalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.

“Ajo që dua të them dhe në mënyrë shumë të sinqertë të mundshme është se gabojmë rëndë nëse e mohojmë se njerëz të tillë nuk ka në rrethin tonë, gabojmë rëndë nëse ne s'e kuptojmë se rreziku nga ekstremizmi është real dhe është vdekjeprurës. Gabojmë pra nëse nuk e shikojmë vetën në pasqyrë. Ka pasur element që kanë shkuar nga Kosova edhe në Siri edhe në Irak, por jemi vlerësuar si kampion kundër ekstremizmit dhe terrorizmit dhe mund të them se në shtatë muajt e fundit nuk e kemi asnjë qytetar që ka udhëtuar apo bashkangjitur kësaj të keqe në Siri apo Irak”, tha ai duke nënvizuar se Kosova do të vazhdojë të jetë e vendosur në luftë kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.

Presidenti Thaçi ndërkaq foli edhe për debatet e ditëve të fundit pas botimit të një artikulli të gjatë të gazetës Nju Jork Times, ku theksohej se në Kosovë që pas luftës që çoi në pavarësinë e vendit është shtuar radikalizmi fetar nën ndikimin e financimeve nga jashtë, kryesisht nga Arabia Saudite.

“Kemi pasur opinione në mediume ndërkombëtare ku Kosova është quajtur si e transformuar nga një shtet shumë pro amerikan dhe pro perëndimor në një shtet ku ka elemente fundamentaliste dhe vullnetarë të ISIS-it. Debati që u zgjua pas këtyre opinioneve ishte i ndarë në atë që thonë se ky opinion ishte i saktë dhe se Kosova ka dështuar të luftojë ekstremizmin dhe ata që e sulmojnë këtë opinion duke pohuar se Kosova nuk ka probleme me radikalizmin fetar dhe se shkrimi mund të jetë rezultat i një islamofobie. E kam përcjellur me vëmendje këtë debat dhe mund të them se që të dyja palët gabojnë që fusin debatin në binarë të pro dhe kundër këtyre opinioneve”, tha Presidenti Thaçi duke nënvizuar se Kosova vazhdon të jetë vendi më pro perëndimor në botë.

“Ajo që dua të them është se Kosova vazhdon të jetë vendi më pro amerikan në botë, më pro NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe në të gjitha sondazhet dhe opinionet publike që të tri këto orientime dalin mbi 90 për qind në favor të një opinioni pro amerikan, pro anëtarësimit në NATO dhe pro anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet në rreth 70 sish. Rreth 60 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Që nga viti 2013, autoritetet në Kosovë kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza. Por, veprimtarët thonë se krahas veprimeve ligjore, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke vënë theksin tek edukimi dhe informimi i drejtë i qytetarëve të Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG